Express: Sherri i listave të fryra të veteranëve, Kosova humb 16 milionë euro të FMN’së

Pas një jave, më 4 gusht 2017, Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i ndërpresë marrëveshjet për ekonomi për Kosovën.

Burime diplomatike kanë treguar për Gazetën Express se FMN nuk do ta vazhdojë marrëveshjen e saj për përkrahje të ekonomisë së Kosovës, afati i të cilës skadon të premten e 4 gushtit 2017.

Krejt kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar që një pjesë e fondeve të tyre të jepen për pensione për veteranët e UCK’së, numri i të cilëve dyshohet të jetë i fryrë, tregojnë të njëjtat burime për Gazetën Express.

Nga kjo shkëputje e marrëveshjes, Kosova humb mbi 16 milion Euro përkrahje ekonomike nga FMN’ja.

Gazeta Express ka provuar qysh të mërkurën të marrë konfirmim nga zyra e FMN’së në Prishtinë. Përkundër se zëdhënësja e këtij institucioni ndërkombëtarë, Merita Kernja, përmes telefonit kishte paralajmëruar se do t’u përgjigjej pyetjeve të gazetës, ajo se ka bërë një gjë të tillë deri më sot.

Vendi ynë, kredinë e fundit nga FMN’ja e ka përfituar në vitin 2015, me vlerë rreth 185 milion Euro, të ndarë në tre faza, e që e fundit përfundon pas një jave.

Kosova FMN’së i është bashkuar qershorin e vitit 2009, dhe që nga atëherë llogaritet të ketë përfituar mbi 400 milion euro dobi përmes kredive.
FMN, e kishte paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se po e vë në rrezik buxhetin e shtetit dhe kishte kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të ketë kujdes me paratë që po i ndan për veteranët.

FMN kishte kritikuar drejtuesit e shtetit se në buxhet janë paraparë 60 milionë euro për këtë kategoritë e veteranëve, derisa shpenzimet sipas listave të regjistrimit të tyre mund të shkojnë deri në 100 milionë.

SHPËRNDAJE