Faktet që dëshmojnë ndëhyrjet e ISPE-së në Agjencinë e Akreditimit

Kolegji ISPE dhe drejtori i saj, Avni Mazreku kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e Agjencisë Kosovare për Akreditim. Kjo është vërtetuar përmes disa e-maileve dhe IP të e-maileve, që i ka siguruar Insajderi. Në këto e-maile vërtetohet se shumica e raporteve që e kanë rekomanduar pozitivisht Kolegjin ISPE, për akreditim në Agjencinë Kosovare për Akreditim, janë shkruar pikërisht nga Kolegji ISPE. Për të gjitha këto ndërhyrje, Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni ka ngritur padi ndaj Reqicës, në Policinë e Kosovës.

Kolegji ISPE dhe drejtori i saj, Avni Mazreku, kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e Agjencisë Kosovare për Akreditim. Kjo është vërtetuar përmes disa e-maileve dhe IP të e-maileve, që i ka siguruar nga Insajderi. Në këto e-maile vërtetohet se shumica e raporteve që e kanë rekomanduar pozitivisht Kolegjin ISPE, për akreditim në Agjencinë Kosovare për Akreditim, janë shkruar pikërisht nga zyret e Kolegjit ISPE.

Kjo vërtetohet përmes IP-së së emaileve që janë dërguar në adresë të AKK-së për akreditim të ISPE-së, janë dërguar nga vet zyret e këtij kolegji.

Secili shkrim që shkruhet në Word, e ruan IP-adress-ën e kompjuterëve e kompjuterit nga të cilin është shkruar.. Kësisoj, email-et që Shyhrete Reqica, ua kishte dërguar anëtarëve të Agjencisë Kosovare të Akreditimeve, në kohën sa ajo udhëheqte me këtë agjencion, vërtetohet se teksti i shkruar në to, dhe i dërguar nga vetë Reqica, posedojnë IP-adressat e kolegjit ISPE, dhe rrjedhimisht ato email-e, janë shkruar nga kompjuterët e këtij Kolegji.

Shyhrete Reqica, më datën 15 korrik të këtij viti, u shkruan e-mail zyrtarë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën ajo konstaton se Kolegji ISPE, i përmbush të gjitha kriteret për akreditim. Por, përveç kësaj, IP-adressa e tekstit të kësaj emaile, mban emrin e Kolegjit ISPE – që do të thotë se ai tekst është shkruar nga kompjuterët e këtij Kolegji.

“I gjithë dokumentacioni përkatës në lidhje me programet e pezulluara (1. Juridik BA, 2. Shkenca Politike BA, 3. Ekonomik BA, 4. Studime të Sigurisë BA, 5. Studime të Sigurisë MA) rezulton i kompletuar sipas kërkesave të AKA-së, (për cdo program studimi janë të paktën tre bartës me titull shkencor Phd për programet BA dhe dy bartës për programet MA, ku për secilin prej tyre dosja rezulton e kompletuar me këto dokumente: Diplomë e Phd e nostrifikuar, konfirmim nga ATK-ja, kontratë pune me IAL-në: deklaratë angazhimi dhe deklaratë nën betim, për stafin akademik jo shtetas të Republikës së Kosovës, ekziston edhe lejeqëndrimi si dhe vërtetimi tatimor nga vendi, shtetësinë e të cilit e posedon bartësi përkatës i programit të studimit.

FOTO: E-maili që anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ua kishte dërguar u.d. drejtoreshës, Shyhrete Reqica

“Bazuar në gjendjen faktike, konstatoj se dokumentacioni relevant i dorëzuar nga Kolegji ISPE, është conform kërkesave të AKA-së të parapara në UA Nr.09/2017 në fuqi, dhe përmes këtij raporti vlerësojmë se Kërkesa e Kolegjit ISPE me Nr. Prot. 423/18 me datë 29.05.2018 e paraqitur në AKA duhet të trajtohet nga KSHC-ja në këtë mbledhje dhe të merret vendim konkret për secilën nga pikat e parashtruara në kërkesë dhe konkretisht:”, thuhet ndër të tjera në email të dërguar nga Reqica tek zyrtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

E pyetur për këtë gjë, Shyhrete Reqica, ka thënë për Insajderi, se ka bërë lëshim teknik, gjoja duke e shkruar fjalën identifikim e ka shkruar konstatim. Për më tepër, Reqica, shprehet se email-e është dërguar nga zyret e saja në AKA.

“E pranoj këtë gjë, se unë nuk është dashur që ta shkruaj fjalën konstatim. Por, këtë e kam bërë gabimisht, duke e përdorur fjalën identifikim, e kam përdorur atë fjalë. Për pjesën tjetër, unë them që ajo email është shkruar nga zyret e AKA-së, kurse një pjesë nga kërkesa e ISPE-së, për akreditim, e kam marrë copy”, ka thënë Reqica.

Ajo nuk ka dashur që të flas rreth asaj se pse IP adressa e atij teksti mban emrin e Kolegjit ISPE.

Kurse, Insajderi ka kontaktuar edhe me pronarin e Kolegjit ISPE, Avni Mazreku. Ai fillimisht i është drejtuar gazetarit me fjalët se nuk është ekspert i teknologjisë, duke kërkuar që të kontaktohet më vonë, derisa të informohet se për ka bëhet fjalë. Por, Mazreku tash e dy ditë e ka zgjedhur heshtjen, duke mos u përgjigjur na asnjë thirrje në forma të ndryshme, që ia ka bërë Insajderi.

“Nuk jam ekspert i teknologjisë. S’jam duke të kuptuar. Thirrëm më vonë, të informohem dhe pastaj flasim”, ka thënë Mazreku.

Por, për të gjitha këto ndërhyrje kishte qenë i informuar ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili në korrik të këtij viti e kishte shkarkuar U.D. e drejtoreshës në AKA, Shyhrete Reqicën.

Bytyqi, teksa ka folur për Insajderi ka thënë se arsyeja e shkarkimit të Reqicës nga pozita e drejtoreshës, ka qenë dyshimi për interferimin e saj me disa kolegje private, duke përfshirë edhe Kolegjin ISPE.

“Pikërisht pas informacioneve dhe kërkesave që na kanë ardhë nga zyrtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për interferim të Shyhrete Reqicës me disa institucionet private të Kolegjeve, dhe ne e kemi marrë vendimin për largimin e saj. Sipas Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët ma kanë dhënë një raport, përmenden emrat e Kolegjeve private, dhe kjo ka qenë qëllimi që mos të ndikojë askush në vendimet e pavarura që i merr këshilli Shtetëror i Cilësisë”, ka thënë ministri Bytyçi

E për të gjitha këto, kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni, ka bërë padi ndaj u.d. drejtoreshës së AKA-së, Shyhrete Reqicës.

Sipas padisë së Lubotenit, të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Reqica, kishte bërë ndërhyrje jashtë kompetencave të saja, për arsyen e vetme, që si thuhet në padi: arritjen e qëllimeve të saja.

“Duke u thirrur në kompetencat e saja si u.d. e drejtorit të AKA-së, disa herë me radhë ka tentuar që përmes e-mailave të dërguar tek anëtarët e KSHC-së dhe tek ministry I Arsimit, të bëjë presione të vazhdueshme në realizimin e qëllimeve të saja”.

“Sipas rregullores së KSHC-së, Kryetari I KSHC-së, në kordim me anëtarët e tjerë të KSHC-së, e cakton datën e mbajtjes së mbledhjes dhe agjendën e takimit. Kjo ka ndodhur edhe me rastin e mbledhjes e cila ishte paraparë të mbahej me 17 korrik 2018, duke ndërhyrë direct në kompetencat e kryetarit të KSHC-së. Gjithashtu, me këtë e-mail kishte dërguar edhe dy raporte të tjera të cilat sipas saj ishin të gjeturat dhe konstatimet finale dhe në këtë bazë, ajo kërkon nga KSHC-ja marrjen e vendimit sipas konstatimeve të saja”, thuhet në padinë ndaj Reqicës.

Aty përmendet edhe IP-adressa e e-maileve të shkruara nga Reqica, dhe që dokumentohet se përmbajnë adresën e kompjuterëve të Kolëegjit ISPE.

“Pas kontrollit të këtyre dokumenteve, përkatësisht pas disa veprimeve kompjuterike u konstatua që autori i këtyre dokumenteve, sipas të dhënave që i paraqet veprimi kompjuterik “Properties, Details, Author”, shihet qartë se autori i këtyre dokumenteve figuron të jetë ISPE”, thuhet në padinë e Gazmend Lubotenit ndaj Shyhrete Reqicës.

FOTO: Padia e Gazmend Lubotenit, ndaj Shyhrete Reqicës

Akuzat dhe kundërakuzat në mes zyrtarëve të Kolegjit ISPE dhe Ministrisë së Arsimit

Të gjitha këto kishin bërë bujë në momentin kur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për shkarkimin e U.D. drejtoreshës së AKA-së, Shyhrete Reqica.

Këtë vendim Bytyqi e kishte marrë më 17 korrik të këtij viti, me arsyetimin se ajo nuk është duke i kryer obligimet, që i posedon në bazë të përgjegjësive të ngarkuara në këtë post.

“Arsyeja është moskryerja e obligimeve në bazë të përgjegjësive të ngarkuara dhe efikasitetit të punës së AKA-së”, thuhej në arsyetimin e ministrisë së Arsimit.

Menjëherë pas shkarkimit të saj, Ministria e Arsimit, kishte emëruar bordit e ri të Agjencisë Kosovare të Akredimit.

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) pas mbledhjes së mbajtur në njërën nga mbledhjet e saj, kishte marrë vendim, sipas të cilës Kolegjit ISPE i revokohet akreditimi në të gjitha programet e studimit Bachelor (BA) dhe Master (MA) duke përjashtuar vetëm programin Studime të Sigurisë Bachelor (BA).

Ky vendim i AKA-së, kishte nxitur reagime të ashpëra nga ana e pronarëve të Kolegjit ISPE.

Fillimisht ata përmes një komunikate për media, kishin kundërshtuar këtë vendim të bordit të AKA-së, duke e quajtur si vendim politik. Në komunikatën e lëshuar nga kolegji ISPE, paraqiteshin tetë (8) pika, sipas tyre tregohet padrejtësia që AKA e ka bërë ndaj këtij kolegji.

Opinioni i gjerë publik në Kosovë dhe të gjithë mekanizmat e lartpërmendur duhet të jetë të informuar për faktet si në vijim:

Në vetë tabelën e publikuar nga vetë AKA-ja, të enjten me datë 26.7.2018 është e qartë se Kolegji ISPE i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara nga vetë AKA-ja për staf të rregullt akademik për secilin program të studimit, ndërsa për çudinë e të gjithëve me vendimin e sotëm Kolegjit ISPE i hiqet akreditimi nga programet e akredituara dhe ri-akredituara tashmë nga katër (4) përkatësisht pesë (5) herë me radhë si rezultat i vlerësimit nga ana e ekspertëve të jashtëm ndërkombëtarë;

Heqja e akreditimit, bëhet në kundërshtim të plotë me aktet ligjore në fuqi të cilat e rregullojnë këtë çështje, ku është shumë e qartë se Udhëzimi Administrativ Nr. 09/2017, Neni 21 parasheh se heqja/revokimi i akreditimit mund të ndodhë vetëm pas kryerjes së raportit të monitorimit të vlerësuesve të jashtëm ndërkombëtar, i cili në këtë rast duhet të konstatojë se gjendja faktike në institucion është dëmtuar sa i përket sigurimit të cilësisë. Sqarojmë opinionin e gjerë publik se asnjë inspektim dhe monitorim nuk është kryer në Kolegjin ISPE në mënyrë që të vihet deri tek ky vendim;
Departamentit Ligjor i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovë në shkresën Ligjore me Nr. 2/2-3600, të datës 01.11.2017, konstaton se suspendimi i programeve të Kolegjit ISPE është bërë në kundërshtim të plotë me aktet ligjore në fuqi që e rregullojnë këtë fushë dhe në këtë mënyrë AKA-ja e ka shpërfillur plotësisht këtë dokument duke mos e marrë aspak në konsideratë dhe duke vazhduar me praktikat e nxjerrjes së vendimeve të pabazuara në ligj;

Ministri i Arsimit, Z. Shyqiri Bytyqi, e ka shkarkuar nga detyra U.D-në e Drejtorit të AKA-së vetëm pak minuta para fillimit të mbledhjes së Agjencisë së Akreditimit, dhe rrjedhimisht Bordi i Agjencisë ka marrë vendime pa ekzistencën e Drejtorit të AKA-së si personi kompetent ligjërisht për përgatitjen e mbledhjeve të Bordit të AKA-së, ku dihet që ndër të tjera Drejtori i AKA-së është edhe anëtar ex officio e Bordit të Agjencisë së Akreditimit;

Ministri i Arsimit, Z. Shyqiri Bytyqi ka toleruar funksionimin e AKA-së pa ekzistencën e Komisionit të Ankesave në këtë institucion, në kundërshtim të hapur me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (Ligji Nr. 05/L-031), respektivisht Nenet 125-135. Duke ua mohuar Institucioneve të Arsimit të Lartë, në këtë rast edhe Kolegjit ISPE, të drejtat Kushtetuese për të shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat dhe interesat e tij në mënyrën e përcaktuar me ligj (Neni 32 i Kushtetutës së Kosovës).

Veprimet e Ministrit të Arsimit dhe vendimi i sotëm i AKA-së për heqjen e akreditimit për programet e studimit të Kolegjit ISPE, pa asnjë bazë ligjore, është në kundërshtim të hapur edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, respektivisht me Protokollin 1, Neni 2 (E Drejta për Arsim) i cili parasheh se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim”.

Ministri i Arsimit z. Bytyqi ka bërë shkelje flagrante të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik duke mos ndërmarrë asnjë veprim ndaj disa anëtarëve të Bordit të Agjencisë të cilët kanë bërë hapur marketing në TV në favor të institucioneve të caktuara të arsimit të lartë privat dhe vazhdojnë të jenë pjesë aktive e institucioneve të caktuara.

Edhe pas Kërkesës së ish-ushtrueses së Detyrës së AKA-së drejtuar Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës ku ceket qartë se për shkak të dyshimeve të bazuara për parregullsi në vendimet e marra nga AKA, kërkon zyrtarisht kryerjen e një auditimi të përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës në AKA, Ministri i Arsimit, dështon të reagojë dhe si kundërpërgjigje shkarkon U.D e Detyrës nga detyra.

Ata kishin dhënë kërkuar nga shumë institucione vendore, që të reagojnë lidhur me këtë vendim të AKA-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Ramush Haradinaj që të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj Ministrit të Arsimit. Z. Sh. Bytyqi dhe që njëherë e përgjithmonë të ndalen këto praktika arbitrare në dëm të institucioneve të arsimit të lartë, studentëve dhe prindërve të tyre, përderisa i favorizon hapur disa institucione tjera të arsimit të lartë;

Kuvendi i Kosovës, të thërret një interpelancë parlamentare Ministri i Arsimit për veprimet dhe mosveprimet e tij në raport me AKA-në;
Kërkojmë nga Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Znj. Apostolova që të ndërmarrë menjëherë veprimet për inicimin e fillimit të auditimit (të kërkojë zyrtarisht nga Gjykata e Auditorëve të BE-së) për mënyrën sesi fondet e BE-së janë shpenzuar në sektorin e arsimit në Kosovë ( Znj. Apostolova ditë më parë deklaroi se fondet e shpenzuara nga ana e BE-së në Kosovë në sektorin e arsimit kapin shifrën e 34 milionë Eurove). Po ashtu kërkojmë nga Znj. Apostolova që të kërkojë zyrtarisht nga Agjencia Evropiane (OLAF) e specializuar për hetimin e krimeve të kryera kundër financave buxhetore dhe korrupsionit të fillojë hetimet për sa iu përket shpenzimeve të këtyre fondeve në Kosovë në sektorin e arsimit.

Kërkojmë nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, që të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar dhe të paligjshëm dhe në këtë mënyrë të ndërpresë shkaktimin e pasojave tanimë thuajse të paevitueshme ndaj Kolegjit ISPE. Gjithashtu, Kolegji ISPE i bën me dije Agjencisë së Akreditimit se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për ta vendosur përpara përgjegjësisë individuale secilin zyrtar të AKA-së i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka qenë pjesë e këtyre veprimeve arbitrare dhe të paligjshme.

Kolegji ISPE dëshiron të sigurojë të gjithë studentët e tij dhe prindërit e studentëve se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe njëkohësisht do t’i mbajë të informuar për çdo veprim të mëtutjeshëm duke përfshirë edhe reagimin përmes protestave deri në realizimin e të drejtave tona ligjore.

Letrën që drejtuesit e Kolegjit ISPE, ia kishin dërguar edhe kryeministrit Haradinaj, për të marrë masa ndaj vendimit të AKA-së, ministry i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, e kishte quajtur shantazh ndaj institucioneve vendore.

Bytyqi kishte organizuar një konferencë të jashzakonshëm për media kishte thënë se zyrtarët e Kolegjit ISPE, janë duke bërë shantazh dhe presion për anulimin e vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Vlerësoj se kjo letër është e tipit të shantazhit, në mënyrë që të bëhet presion direkt në institucionet shtetërore. Nuk është i sotëm presioni që ky kolegj bën ndaj institucionit tonë”, ka thënë ministri Bytyqi në një konferencë për media.

Bytyqi kishte thënë se ka pasur në vazhdimësi presione që në mënyrë të padrejtë të akreditohen programet, gjegjësisht të ndikohet në Këshillin Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të këtij institucioni.

Ministri Bytyqi kishte ripërsëritur faktin që Këshilli Shtetëror i Cilësisë, nuk ka asnjë lidhje me ministrinë, në vendimet e tyre, dhe sipas tij ai nuk pasur të bëjë fare me këtë vendim, si po pretendojnë zyrtarët e Kolegjit ISPE.

“Vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë vendime të pavarura nga ministri, dhe nuk mundem unë si ministër të ndikojë në vendimmarrjen e këtij Këshilli”, ka shtuar ministri i Arsimit”, kishte thënë Bytyqi.

“Ajo çka dua të them është se ky presin nuk është tash që ISPE-ja bën ndaj institucionit tonë, por ka pasur një vazhdimësi të presioneve që në mënyrë të padrejtë t ëakreditohen programet, gjegjësisht të ndikohet në Këshillin Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të këtij institucioni”, ka shtuar ai.

Bytyqi kishte shprehur vendosmërinë e tij për ta përkrahur punën e institucioneve të pavarura.

“Ajo që dua të them është se ne jemi të vendosur që t’i respektojmë institucionet e pavarura, sepse në veaçanti kemi bërë një punë të jashtëzakonshme që të krijojmë një agjenci të akreditimit, një këshill shtetëror të cilësisë të pavarur dhe të pandikuar nga askush”, ka shtuar ai.

Por, pronari i Kolegjit ISPE, Avni Mazreku e kishte quajtur skandal mosakreditimin e programeve të kolegjit të tij. Madje, ai thoshte se vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ishte vendim politik, duke kërkuar kështu shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Reagimi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim

Lidhur me këtë ngjarje, kishte reaguar edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila i ka dhënë të drejtë ministrisë së Arsimit, konkretisht Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në reagimin e ORCA-së, thuhej që: ORCA është duke e monitoruar nga afër në 3 mbledhjet e fundit punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe çdo vendim të deritashëm të tij ORCA e konsideron në përputhje me ligjet dhe rregullativën në fuqi.

ORCA theksonte se është për tu lavdëruar pozicioni i ashpër i ministrit ndaj tentativave të tilla të cënimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në anën tjetër i bën thirrje të gjitha subjekteve politike apo politikanëve që mund të kenë lidhje me institucione të arsimit të lartë në vend, të tërhiqen nga format e presioneve pasi të gjitha presionet do të luftohen e demaskohen publikisht dhe aktivisht edhe nga ORCA në të ardhmen.

Diploma false e pronarit të ISPE-së, Avni Mazreku

Pronari i Kolegjit ISPE, Avni Mazreku, i cili po kërkon dorëheqjen e ministrit Bytyi, ishte zënë me diplomë false, të cilën ia kishin revookuar Këshilli i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit, në Gjermani.

Hetimi kishte nisur pas publikimit fillestar të ueb-faqes “Vroniplag” për numrin e faqeve të temës së doktoratës që dyshohet se janë plagjiaturë.

Vendimi për revokimin e titullit të doktorit ishte konfirmuar për “Gazeta Jeta në Kosovë” nga Lorenz Kahler, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit në Gjermani, aty ku u doktorua Mazrreku.

“Këshilli i Fakultetit ka vendosur sot t’ia revokojë z. Mazrreku titullin PhD. Duhet pak kohë për ta lëshuar vendimin formal nga i cili deri më tani nuk ekziston një version me shkrim. Përveç kësaj, vendimi ka me çështje private prandaj nuk do të bëhet publik”, është përgjigjur Kahler për “Gazeta Jeta në Kosovë”

Në vitin 2009, Avni Mazrreku, si student nga Kosova, kishte mbrojtur temën e doktoratës në Universitetin e Bremenit në Gjermani, konkretisht në Fakultetin Juridik me temën “Integrimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor”.

Aso kohe, Mazrreku ishte mentoruar dhe vlerësuar nga dy profesorë gjermanë, Josef Falke dhe Hagen Lichtenberg.

Mazrreku hyri nën “llupën” e disa ekspertëve tjerë gjermanë disa vjet më vonë. Ueb-faqen Vroniplag”, e cila merret me verifikimin e punimeve që janë kryer në shtetin gjerman, kishte ngritur dyshime të bazuara për plagjiaturë në një pjesë të doktoratës së Mazrrekut.

Në vitin 2017, ekspertët e faqes “Vroniplag” vlerësuan punimin e doktoratës së profesor Mazrrekut duke publikuar çdo gjetje të disertacionit të tij.

Ata kanë analizuar 137 faqe të temës së doktoratës së Mazrrekut duke vlerësuar se në 100 faqe kanë tekste paralele, në klasifikime të ndryshme. Kjo ueb-faqe pretendon se një pjesë e tekstit është kopje fjalë për fjalë, pa u cituar fare burimi. Në një pjesë tjetër të tekstit nuk është cituar burimi, mirëpo përmbajtja është modifikuar. Ndërsa, një pjesë e punimit është cituar burimi, por nuk është specifikuar mjaftueshëm.

“37 faqe janë pa tekste paralele. 50 faqe kanë më pak se 50% tekste paralele. 27 faqe kanë prej 50% deri 75% tekste paralele. Dhe 23 faqe kanë më shumë se 75% tekste paralele”, thuhet në vlerësimin e “Vroniplag“.

Ekspertët e faqes “Vroniplag” kanë arritur që në të kaluarën të gjejnë raste tjera të plagjiaturave, që kanë rezultuar me revokim të titujve akademikë, madje edhe për përfaqësues të lartë të Bundestagut gjerman.

Pas këtyre gjetjeve, përfaqësuesit e faqes “Vroniplag” e kanë njoftuar Universitetin e Bremenit dhe mentorin Josef Falke mbi të gjeturat dhe dyshimet për plagjiaturë në rastin e temës së doktoratës së Mazrrekut.

Pas këtij publikimi, Universiteti i Bremenit në Gjermani kishte nisur një hetim për dyshimet e ngritura rreth tezës së doktoratës së Mazrrekut.

Këtë e ka konfirmuar për “Gazeta Jeta në Kosovë”, Lorenz Kahler, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit në Gjermani, aty ku u doktorua Mazrreku.

“Dyshimi se teza e Doktoratës së z. Mazrreku ka pjesë me plagjiat ka ardhur në vëmendjen tonë vitin e kaluar. Siç parashihet në rregulloret tona e kemi filluar menjëherë hetimin, i cili drejtohet nga Komisioni i Doktoratës”, kishte thënë dekani Kahler.

Për dyshimet e plagjiaturës në temën e Avni Mazrekut, kishte qenë në dijeni edhe Josef Falke, mentori i profesor Mazrrekut.

Falke kishte thënë se më 16 gusht 2017 është informuar përmes një letre nga koordinatori i “Vroniplag”, ku ai ia kishte dërguar Komisionit të Departamentit Juridik të Universitetit të Bremenit.

“Në këtë letër ai i bëri të ditura dyshimet për plagjiat në disertacionin e Avni Mazrrekut. Letra ishte përcjellë bashkë me një listë të përkohshme të shembujve të plagjiaturës (sistematike?)”, pati thënë Falke.

Ai kishte thënë se menjëherë kishte njoftuar anëtarët e komitetit të doktoratës në mbledhjen e 25 tetorit 2017.

“E kam bërë të qartë se lista e përkohshme e shembujve të plagjiaturës së disertacionit të Avni Mazrrekut janë vetëm maja e ajsbergut”,kishte thënë Falke, mentori i profesor Mazrrekut.

Heshtja e Mazrekut

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar me Avni Mazrrekun, i cili fillimisht tha se është hera e parë që po dëgjon për këtë çështje, ndërsa më pas na kërkoi që t’ia përcjellim pyetjet përmes e-mail adresës.

Pas dërgimit të pyetjeve, ai tha se mund të përgjigjet pas vendimit final të Universitetit të Bremenit.

“Siç edhe thash në SMS e mëparshëm, më duhet të kem vlerësim final në mënyrë që të përgjigjem në pyetjet tuaja. Prandaj situata më optimiste kur unë mund të përgjigjem për ju është fundi i javës së ardhshme”, shkoi Mazrreku.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar një përgjigje nga Mazrreku pas vendimit të Universitetit të Bremenit, por ai ka thënë se ende nuk ka marr asnjë njoftim.

Gazeta e ka pyetur Mazrrekun edhe nëse do të apelojë vendimin. Gazeta është në pritje të përgjigjeve.

Mirëpo, “Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur se Mazrreku ishte i njoftuar për hetimet që po kryente Universiteti i Bremenit mbi doktoratën e tij.

“Z. Mazrreku ka qenë, sigurisht, i informuar rreth hetimit dhe e ka mundësinë që ta mbrojë veten nga të gjitha pretendimet”, tha dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Bremenit, Lorenz Kahler për “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Procedura për revokim të titullit

“Gazeta Jeta në Kosovë” kishte nisur hulumtimin për temën e doktoraturës së Mazrrekut disa javë më parë. Gjatë kësaj kohe, Universitetit të Bremenit kishte paralajmëruar se vendimi do të merret me datën 31 janar.

“Në këtë moment (komisioni) nuk ka ardhur në ndonjë përfundim (të caktuar). Megjithatë së shpejti, në mbledhjen e 31 janar-it, do të merret vendimi. Kjo mund të jetë, për shembull, revokimi i titullit të doktorit”, tha dekani Kahler.

Josef Fakle, mentori i profesor Mazrrekut kishte shpjeguar ” rregullat e Universitetit, të cilat parashihnin edhe revokimin e doktoraturës.

“Neni 19, pika (2) e Rregullores për Marrjen e Titullit të Doktorit në Departamentin Juridik në Universitetin e Bremenit (më datë 24 qershor 1992) thotë: “Titulli i doktoratës mund të revokohet retroaktivisht vetëm në qoftë se vërtetohet se (ai) është marrë përmes mashtrimit. Revokimi vendoset nga Senati pas kërkesës së departamentit”, tregoi Falke.

Në nëntor të vitit 2017, në Departamentin Juridik të Universitetit të Bremenit, ka hyrë në fuqi versioni i ri i Rregullores për Marrjen e (titullit të doktoratës) Doktoratës.

“Neni 22 përmban një pikë të re për revokimin e titullit të doktorit: “Shkalla e doktoratës mund të revokohet më vonë vetëm nëse rezulton se ai është marrë me mashtrim ose shkelje të rëndë të pakujdesshme të rregullave të praktikës së mirë shkencore. Këshilli i Divizionit 6 vendos për tërheqjen me rezolutë bazuar në mendimin e Komitetit të Doktoratës. Para marrjes së vendimit, personi në fjalë ka mundësinë të komentojë”, ka shpjeguar Fakle, mentori i profesor Mazrrekut.

Ai thotë se Departamenti i Juridikut është kompetent për marrjen e vendimit final në lidhje me rastin e profesor Mazrrekut.

Por pas gjithë këtyre, profesor Falke ka një hall për studentin e tij të doktoratës.

“Për mua është tragjedi që procedura e revokimit të doktoratës mund ta kontaminojë pozitën e Avni Mazrrekut në luftën kundër korrupsionit. Ata mund ta përdorin procedurën e revokimit si armë kundër Avni Mazrrekut me qëllim të minimit të legjitimitetit dhe reputacionit të tij — edhe pozicionit të tij në luftën kundër korrupsionit por edhe iniciativat e reja për mësimdhënie akademike”, u shpreh Falke.

Falke e quajti veten viktimë të këtij rasti.

“Unë vetë jam ‘viktimë’ e kësaj lloj sjelljeje si në Departamentin Juridik, ashtu edhe në Universitetin e Bremenit dhe komunitetin shkencor. Është në interesin e të gjithë studentëve të doktoratës dhe njerëzve, dizertacionet e të cilëve i kam mbikëqyrur dhe të cilat jam në mbikëqyrje e sipër, më duhet t’i mbroj standardet shkencore dhe reputacionin tim shkencor”, pohoi ai.

Ai pati thënë se nuk mund të mbrojë një sjellje mashtruese.

“Pa marrë parasysh pasojat e mundshme tragjike të procedurës së revokimit në Kosovë dhe vlerësimin tim të lartë e të pandryshuar për punën akademike e politike të Avni Mazrrekut në Institutin ISPE, nuk mund t’i mbroj sjelljet mashtruese sistematike (në kuptim objektiv) dhe shkeljen e standardeve bazike shkencore”, tha Falke.

Dekani i Fakultetit Juridik, Lorenz Kahler tha se procedura për revokimin e titullit të doktoratës nuk lidhet me një dënim zyrtar për mbikëqyrësit e doktoratës.

“Një dënim i tillë është i mundur vetëm nëse një mbikëqyrës e dinte ose duhet të kishte ditur se teza përfshin pjesë të plagjiaturës. Rregullisht, ai ose ajo duhet të mbështetet në konfirmimin e bashkangjitur në secilën tezë se gjithsej është bërë nga vetë autori”, pohoi Kahler për “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Lidhja mes mentorëve dhe Mazrrekut

Mbrojta e temës së doktoratës nga Mazrreku ishte bërë më 4 maj 2009. Aso kohe mentor i tij ishte Josef Fakle profesor në Universitetin e Bremenit, ndërsa vlerësues i tij ishte gjermani Hagen Lichtenberg.

“Kam qenë mbikëqyrësi i parë i punimit të doktoratës së z. Avni Mazrreku në Fakultetin Juridik në Bremen. Para se të fillonte të punonte në doktoratën e tij ai i ka vizituar (vijuar) disa nga ligjëratat e mija në programin ‘E Drejta Europiane dhe Ndërkombëtare’ në Departamentin Juridik të Universitetit të Bremenit”, tha Falke.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka mësuar se të dy, si profesor Fakle dhe profesor Lichtenberg, kanë punuar në Kolegjin ISPE.

Përfaqësues të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës e kanë konfirmuar se Falke dhe Lichtenberg kanë qenë mësimdhënës të Kolegjit ISPE.

“Në lidhje me emrat e profesorëve të cilët Kolegji ISPE i ka paraqitur për proces të akreditimit, ju njoftojmë se emrat e referuar në e-mailin tuaj në proceset e kaluara janë paraqitur si staf akademik i Kolegjit ISPE, mirëpo jo bartës të programeve të studimit në vitin 2017”, kishte thënë Shkëlzen Gërxhaliu nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

SHPËRNDAJE