Fakulteti Filozofik monton konkursin, ia përgatit asistentit D.I.?

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shpallur konkurs për pranimin e personelit të ri akademik në shumicën e njësive akademike të institucionit më të rëndësishëm të arsimit të lartë në Kosovë. Vendimi për këtë konkurs mban datën 27.04.2018.

Personel i ri akademik, në nivel të mësimdhënësve dhe asistentëve, do të pranohet në shumicën e njësive akademike të UP-së. Njëra nga këto njësi akademike është edhe Fakulteti Filozofik, që do të pranojë 13 mësimdhënës dhe 5 asistentë në departamentet përkatëse të tij.

Sipas burimeve të sigurta të Veriu.info, njëra nga pozitat e hapura në konkursin e fundit është përcaktuar për njërin nga punonjësit administrativ të Fakultetit Filozofik, më konkretisht për asistentin administrativ të Dekanatit, D.I., njofton Veriu.info.

Veriu.info i ka drejtuar disa pyetje Fakultetit Filozofik dhe Dekanit, Bujar Dugolli, rreth kësaj çështje, por që nga përgjigja e marrë hedhen poshtë pretendimet për diçka të tillë.

“Kemi pranuar një letër nga ju, lidhur me shqetësimin që keni ngritur rreth konkursit të shpallur nga Universiteti i Prishtinës për hapjen e një konkursi për pranimin e stafit të ri. Fakulteti Filozofik i hedhë poshtë në mënyrë kategorike pretendimet e juaja, lidhur me paramendimin e pozitave për këdo. Konkurset i ka shpallur Universitet i Prishtinës dhe Fakulteti Filozofik angazhohet për propozimet e më të mirëve, ndërsa Senati i Universitetit është ai që bënë zgjedhjen e më të mirëve, konform dispozitave dhe akteve në fuqi. Siç edhe e dini, konkursi është i hapur për të gjithë dhe kushdo mund të aplikojë, duke shpresuar se vetëm më të mirët do të propozohen Senatit të Universitetit. Gjithsesi e mirëpresim angazhimin tuaj dhe e rikonfirmojmë edhe një herë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar”, thuhet në përgjigjen e Fakultetit Filozofik për Veriu.info.

Ajo që bie në sy në këtë përgjigje zyrtare nga Fakulteti Filozofik është tentim për të larguar kompetencën e pranimit të stafit akademik tek Senati i UP-së, duke shtuar akoma më shumë argumentimet për montimin e procesit. Është e vërtetë që fjalën e fundit për personelin e ri akademik e ka Senati i Universitetit pas propozimeve nga njësitë akademike, por duhet të kujtojmë që pjesë e Senatit është vet Dekani Dugolli, që përmes votës së tij por edhe ndikimit që ka shtrirë në këtë organ të UP-së, ka arritur të shtyjë përpara shumë çështje me rëndësi për të dhe rrethin e tij që e kanë shndërruar UP-në në institucionin më pak kredibil në Kosovë.

“Rezervimi” i pozitave për personel akademik është në kundërshtim me çdo dispozitë të Universitetit të Prishtinës, Statutin dhe rregulloret në fuqi, duke paragjykuar komplet procesin e aplikimit kur akoma nuk dihet se kush do të aplikojë dhe cilat janë përgatitjet akademike të aplikantëve.

Kujtojmë që problemet dhe ndërhyrjet në konkurse janë problematikë mjaftë e shprehur në shumë institucione të Kosovës, e sidomos brenda institucioneve akademike. Fakulteti Filozofik ka qenë njëra nga njësitë akademike më të përfolura për ndërhyrje të shumta të politikës por edhe nga montimet e vet drejtuesve të këtij institucioni.

Praktika e caktimit të pozitave të asistentëve për njerëz të dëgjueshëm brenda Fakultetit Filozofik nuk është diçka e re. Dekani i këtij fakulteti Bujar Dugolli një skenar të njëjtë e ka realizuar edhe në vitin 2015, ku përmes montimit të të gjitha procedurave të pranimit të stafit akademik, i mundësoi pranimin në pozitën e asistentit në departamentin e Historisë, asistentit administrativ të Dekanit Dugolli, pozitë të cilën tani e mban D.I.

Si duket kjo është forma përmes së cilës Dekani Dugolli ka vendosur që njerëzit e dëgjuar t’i punësojë në cilësinë e personelit akademik në mënyrë, që të manovrojë shumë më lehtë dhe të realizojë synimet e tij që shumë pak duket të jenë të natyrës akademike.

Bujar Dugolli mban pozitën e dekanit që nga viti 2012, por që hapur ka shprehur pretendimet e tij për të marrë udhëheqjen e UP-së, gjë që është dëshmuar edhe me luftën e qartë që i patë shpallur ish rektorit Ramadan Zejnullahu. Po ashtu, Dugolli ka shtrirë një ndikim të theksuar edhe në Senatin e Universitetit të Prishtinës, si shkalla përfundimtare e pranimit të personelit akademik pas propozimeve nga njësitë akademike.

Procesi i aplikimit ka përfunduar më 14.05.2018 për të vazhduar me procedurat tjera./VERIU.INFO

 

 

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE