Familja Aliu në kushte të rënda financiare, fëmijët s’kanë bukë për të ngrënë

Ky është Ramiu. Ai çdo ditë ndihmon babain e tij të sëmurë për të shkuar në tualet. Babai i tij 4 muaj është i shtrirë në shtrat dhe është në gjendje të palëvizshme. Në një gjendje të vështirë financiare, familja Aliu jeton në fshatin Paniçar, të Komunës së Sarajit.

Kryefamiljari Rami Aliu, nuk gjen dot fjalë për të përshkruar gjendjen me të cilën përballen momentalisht. Ai thotë se u mungon gjithçka në shtëpi duke filluar nga ushqimi, veshmbathja e shumë gjëra të tjera elementare për jetë.

Sipas kryefamiljarit, nevoja më e madhe për këtë familje është ndërtimi i një shtëpie të re për shkak se ajo ku jetojnë tani është para shembjes.

“Unë tërë ditën jam me babain. Më kërkon ta ndërroj e ta veshi. Fëmijët kanë kërkesat e veta, ndërsa unë i kamë duart e zëna.  Shkoj në pazar, çka të marrësh me 100 denarë, tash për momentin vetëm 100 denarë i kamë në xhep. Kërkoj dikush të më ndihmoj për bukë, për pijë, por pse jo ndonjë pare, por edhe ndonjë shtëpi nga njerëzit human”, tha Rami Aliu.

Lokja 71 vjeçare, me lot në sy thotë se me vetëm 9000 denarë ata e kalojnë muajin nga pensioni i burrit të saj. Por edhe ata para shkojnë për barna.

“Për katër muaj kështu është, problem me frymëmarrjen dhe barkun. Djali nuk mund të punoj se nuk ka  kush të kujdesët për burrin, se unë kam problem me këmbët e mija. Shtëpia po na rrëzohet , lagështi gjithandej, një shi me ra shtëpinë tonë e merr uji. Fëmijët kërkojnë, burri nuk kemi çka t’ju marrim”, u shpreh Menduhije Aliu.

Edhe zonja e shtëpisë Zekia, rrëfen vështirësitë me të cilat ballafaqohet kjo familje skamnore. Ajo thotë se më vështirë është kur fëmijët kërkojnë ushqim, e nuk ka gjë për t’iu ofruar.

“Kam 7 vjet martesë, unë si nënë shumë rendë po përjetoj këtë jetë këtu. Kam 2 muaj që nuk i kamë parë të familjes, sepse vjehrri sëmur me një anë, nuk kam pare të shkoj. Fëmijët kërkojnë të shkojnë te dajtë nuk mundet, rruga e gjatë”, tha Zekie Aliu.

SHPËRNDAJE