Familja Dehari shkon sot në Prizren për të kërkuar rezultatet e ekspertizës për djalin e tyre

Familjarët e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Vetëvendosjes që ndërroi jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren do të shkojnë sot në Prokurorinë Themelore të kësaj komunë për të kërkuar raportin e ekspertizës që një ditë më parë erdhi nga Zvicra.

Kështu kanë bërë të ditur për Express-in nga Lëvizja Vetëvendosje.

Një ditë më parë familja Dehari, përmes avokatit Tomë Gashi kanë kërkuar që të ju përcillet ekspertiza përmes një shkrese dërguar Kryeprokurorit Aleksandër Lumezit e Prokurorisë në Prizren.

Se ekspertiza është kryer ka lajmëruar përmes një konference për media Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala.

“Sot kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit nga Instituti në Lozanë të Zvicrës. Nuk e dimë çka ka përbrenda, sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit. Ne këtë do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit që do ta hapë dhe do të dorëzohet për përkthim”, ka thënë Shala.

SHPËRNDAJE