Familjes Hyseni nga Vushtrria pas dy dekadash i përsëritet historia e zjarrit, humbin djalin 22-vjeçar (Pamje)

Familjes Hyseni nga Vushtrria i shpëtuan tri vajzat në një incident zjarri që u kishte ndodhur rreth 20 vite më parë, në një ndërtesë në Gjermani. Historia e zjarrit iu përsërit para pak ditësh, fatkeqësisht këtë herë me fatalitet.

Erzen Hyseni, djali i vetëm i kësaj familjeje, nuk e pati fatin e motrave që të shpëtonte nga incidenti me zjarr. Ndezja e benzinës së gjeneratorit në vendin e punës, ku 22-vjeçari tash e një kohë punonte, i shkaktoi djegie dhe telashe të tjera shëndetësore. Të hënën ai e humbi betejën me lëndimet që i mori në vendin e punës. Erzen Hyseni u varros dje në Begaj të Vushtrrisë

Djegie serioze kishte marrë i riu nga Vushtrria në momentin kur po tentonte ta mbushte me benzinë gjeneratorin e kafiterisë ku punonte. Këtë veprim e kishte bërë, pasi atë ditë rryma ishte ndalur katër herë. Shkalla e djegies së duarve e këmbëve rreth 45 për qind dhe ajri i tymosur që Erzeni kishte thithur, gjatë tentimit për ta ndaluar zjarrin, ia morën jetën atij. Ai ishte i fejuar dhe planet ishin që të martohej brenda këtij viti.

Qyteza e Vushtrrisë të hënën e humbi njërin nga djemtë më të mirë të saj, këtë e thanë shumë miq e familjarë të të ndjerit. Madje për vdekjen e hershme të Erzenit, shkroi edhe kryetari i komunës së tij, Xhafer Tahiri. 

“Erzeni ishte djalë vushtrrias me karakter e virtyte të larta. E nderuara familje Hyseni, lutem që Zoti të ju jap forcën e durimin që të kaloni dhimbjen tuaj. Ngushëllime”, shkroi Xhafer Tahiri të hënën në Facebook.

Ekipi i Gazetës Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar në familjen e Erzen Hysenit në Vushtrri. Motra e tij, Brunilda, mes lotësh ka rrëfyer për incidentin me zjarr dhe planet që vëllai i saj i kishte menduar t’i realizonte në të ardhmen. Rrëfimit i ka kontribuuar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila qëndronte në të pame. Ganimetja e kishte Erzenin djalë të dajës.

Erzeni ishte djalë punëtor, ai kishte filluar të punonte që nga mosha 14-vjeçare. Së fundmi punonte kamerier në një kafene në qytetin e Vushtrrisë. Nga zjarri ka pësuar lëndime edhe një shok i Erzenit, i cili ka shpëtuar. Motra e Erzenit rrëfen për momentet se si ndodhi incidenti me zjarr, tregon se atë ditë në kafenenë ku punonte ai, ishte ndalur rryma katër herë. Kjo edhe e kishte shtyrë Erzenin që ta ndezte gjeneratorin.

 “Ashtu qysh i ka thonë babit i ka thonë se u kon tu e mbush gjeneratorin, po kjo ka ndodhë se u ndal rryma katër herë. Kur u ndal rryma, u ndalë agregati i cili u dhez  u shym, edhe nqat moment ka shpërthy benzina. Erzeni nuk ka dalë jashtë prej frikës ose ndoshta Zoti ja ka hup mend po ka hy edhe më brenda. Ka tentu mi parandalu diegiet në lokal edhe e ka thith qata ajër. Edhe është rrëzu aty ka pas benzin edhe ka thith ajërin e tymosur, qajo jaka pru edhe vdekjen”, thotë motra e tij për Gazetën Express.

Brunilda, tregon edhe për momentet kur familja e mori vesh se Erzeni pësoi aksident në vendin e punës.

“Ngjarja ka ndodhë të shtunën e kaluar, jom njoftu tu shku dikun që ka ndodh veç një shpërthim i vogël. Edhe pak ka djegie në durë kurgjo më shumë, edhe prindërit ishin informu. Shkova në vend të ngjarjes aty më than që u nis për Prishtinë në intensivë, edhe aty e kom kuptu që nuk është gjendja krejt normale e ska pak diegie e kom kuptu që është gjendja më e rëndë se në Prishtinë zakonisht i cojnë rastet ma të rënda. Tani babi u nis me një të afërm për Prishtinë u taku me vllaun tem e ka përqaf i ka folë e ndoshta prej frikës nuk ja ka shpjegu krejt qysh ka ndodhë aksidenti”, tha ajo.

Ganimete Musliu tha se kujdesja e mjekëve ka qenë e madhe por Erzeni kishte pësuar djegie trupore 45 për qind. Pas trajtimit në Intensivë në QKUK, 22-vjeçari ishte dërguar për trajtim në Turqi, por pas tri ditësh qëndrimi atje ai ndërroi jetë.

“Në intensivë ka qenë, kujdesja e mjekësve ka qenë maskimale shkalla e diegies ka qenë 45 për qind. Ka thith edhe ajër të tymosur e kemi mbajt një javë intensivë. Fatkeqësisht klinikat tona nuk kanë qendra për trajtimin e diegieve. Jemi paraqit te Ministria e Shëndetësisë e kan fut në sistem, e kemi çu të shtunën për Turqi, të hënën paradite ka ndërru jetë”, tha Musliu për Gazetën Express.

Shtoi se djali i hasretit kishte planifikuar të martohej sivjet. Ganimete Musliu tregoi se si familja Hyseni i kishte shpëtuar zjarrit para 20-viteve.

“U feju në shtator, ka pas plan me u martu në shtator të këtij viti se e ka lidhë edhe me ditëlindje të vajzës që ishte i fejuar. Por, Zoti ka pas plane tjera. Daja ka pas edhe një fat të rëndë, para 20 vjete ju kanë sos tri vajza si pasojë e një zjarri në Gjermani në një ndërtesë. Fati ka dashtë që janë shnosh e mirë të gjitha, edhe e kanë tejkalu me sukses. Po djali nuk arriti ta përballojë”, tha ajo.

Organet e hetuesisë vdekjen e hershme të Erzen Hysenit po e cilësojnë si vdekje aksidentale.

Vitin që shkoi, në vendin e punës humbën jetën 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë./

SHPËRNDAJE