Fatmir Limaj merr një goditje të papritur nga shefi i tij, Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile propozimit të ardhur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për krijimin e Zonës së Lirë Ekonomike në tri fshatra të Malishevës, duke përfshirë edhe Banjën, fshat nga ku ka prejardhjen zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Por ndryshe mendon Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai ka paralajmëruar se nëse do të jetë kosto e lartë shpronësimi në Bajë të Malishevës për ta shndërruar në Zonë Ekonomike, kjo nuk do të bëhet.

Sipas tij, ka informata se mund të jetë e shtrenjtë dhe nëse del të jetë ashtu, “më mirë t’i japim para komunës që të zhvillohet se të bëjmë shpronësim”.

“Kur të vjen kosto, mundet ministri i Financave të thotë se kjo nuk bën dhe vendoset ashtu. Është mirë nëse shpronësimi s’del i shtrenjtë. Edhe vetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj do të tërhiqet nëse e sheh që është kosto e lartë”, ka thënë ai.

Propozimi i ministrit të Nismas, Bajram Hasani, fillimisht u kundërshtua nga ministrat e PDK’së, ndërkohë që sot kur erdhi në votim, ai mori votat e nevojshme, shkruan gazetametro.net.

Votimin për krijimin e zonës me interes të veçantë pikërisht në qytetin e prejardhjes së Limajt, e konfirmoi për Metron Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës.

Me kalimin në Qeveri të këtij propozimi, zona e lirë ekonomikë në Malishevë pritet të përfshijë fshatrat Banje, Bellanicë dhe Senik, me një sipërfaqe prej 50 hektarësh që pritet t’i kushtojë milionë shtetit për shpronësim.

Ndryshe, me krijimin e zonës së veçantë në Malishevë, po vazhdohet praktika që partitë në Qeveri të krijojnë zona të tilla në qendrat ku janë ata në pushtet lokal. Kështu ka ndodhur me Mitrovicën e Gjakovën, ku u shpallën zonë e mbrojtur nga AKR./gazetametro.net

SHPËRNDAJE