Fazliu: Rehabilitimi fizioterapeutik shëron dhe parandalon lëndimet në sport

Fizioterapeuti sportiv Hashim Fazliu, në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka bërë me dije se merret me rehabilitimin fizik të futbollistëve nga skuadra kampione e Kosovës, Trepça ’89 dhe me futbollistët e tjerë.
Ai ka folur për lëndimet më të shpeshta në sport, për llojet e lëndimeve, për rolin dhe për rëndësinë e fizioterapeutit sportiv dhe për mënyrat se si rehabilitohen sportistët para dhe pas lëndimeve të ndryshme, por edhe me kohën që merr rehabilitimi para dhe pas lëndimit sportiv. “Lëndimet më të shpeshta janë lëndimet që njihen në mjekësi si kontuzionet, tendosjet muskulore, përdredhjet, rupturat, fisurat, frakturat apo thyerjet e ndryshme e që, në shumë raste, marrin më shumë kohë për rehabilitim dhe ndodh që sportistët të humbasin një sezon të tërë të garave”, ka thënë Fazliu.

“Epoka e re”: Z. Fazliu, na shpjegoni sa janë të shpeshta lëndimet e sportistëve?
Fazliu: Nga përvoja ime si fizioterapeut, edhe nga hulumtimet e ndryshme shkencore, vërtetohet dhe dëshmohet se lëndimet janë të shpeshta. Më të shprehura janë në rastet kur sportistët nuk janë të përgatitur aq sa duhet fizikisht, por mund të ketë edhe lëndime të tjera që mund të ndodhin gjatë zhvillimit të sportit përkatës. Në shumë raste janë lëndime që marrin shumë kohë për rehabilitim dhe rikthim në sport, por ka edhe raste të tjera që kalojnë më lehtë, pas rehabilitimit disajavësh.

“Epoka e re”: Në cilat sporte janë më të shprehura lëndimet e sportistëve?
Fazliu: Lëndimet mund të ndodhin në të gjitha llojet e sporteve. Ne si fizioterapeutë më shumë merremi me lëndimet e sportistëve nga sporti i futbollit, hendbollit, basketbollit, por ka raste kur ka lëndime edhe në xhudo dhe sportet e tjera luftarake. Pa përjashtuar edhe sportet që njihen si sporte ekstreme e që tek ne nuk janë shumë të shprehura.

“Epoka e re”: Sa janë të shprehura në Kosovë lëndimet sportive dhe a ka raste kur sportistët, shkaku i tyre, nuk mund ta vazhdojnë aktivitetin në sportin përkatës?
Fazliu: Në të kaluarën, sidomos nga përfundimi i luftës, nuk u është kushtuar shumë rëndësi përgatitjeve fizike dhe rehabilitimit gjatë fazës përgatitore para fillimit të kampionateve në sporte të ndryshme dhe si pasojë e kësaj kanë ndodhur shumë lëndime e që, fatkeqësisht, ka pasur edhe raste kur, si pasojë e lëndimeve, sportistët më nuk kanë arritur të rikthehen në sport. Kjo ka ndodhur edhe me disa sportistë që kanë qenë më të dalluara, por më të shprehura këto lëndime janë te sportistët që njihen si amatorë. Tani po punohet më shumë dhe po i kushtohet më shumë rëndësi fazës përgatitore, sidomos pas njohjes së shumë federatave sportive në arenën ndërkombëtare, por mbetet ende të punohet për rehabilitim dhe zhvillim gjatë fazës së përgatitjeve.

“Epoka e re”: Cilat janë lëndimet më të shpeshta që ndodhin tek sportistët?
Fazliu: Nga puna jonë si fizioterapuetë, edhe nga kontakti me kolegët e tjerë, edhe me mjekë specialistë të mjekësisë sportive, fiziatër dhe ortopedisë, mund të theksojmë se lëndimet më të shpeshta janë ato që njihen në mjekësi si kontuzionet, tendosjet muskulore, përdredhjet, rupturat, fisurat, frakturat apo thyerjet e ndryshme e që në shumë raste marrin më shumë kohë për rehabilitim dhe ndodh që sportistët të humbasin një sezon të tërë të garave.

“Epoka e re”: Na tregoni më konkretisht se si merreni me rastet e lëndimeve të sportistëve?
Fazliu: Jam më shumë i fokusuar në rehabilitimin dhe rikthimin sa më të shpejt të sportistëve pas lëndimeve të ndryshme. Po përdor teknikat e fundit rehabilituese të njohura edhe me protokollet bashkëkohore të rehabilitimit kudo nëpër botë, në mënyrë që sportistët të rikthen sa më shpejt në sportin me të cilin merren dhe mund të them se jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë tanë po e bëjnë këtë me sukses.

“Epoka e re”: Sa mund të ndihmojë një fizioterapeut në lëndimet sportive?
Fazliu: Kohët e fundit ne fizioterapeutët sportivë jo vetëm se po i shërojmë lëndimet, por po bëjmë edhe parandalimin e lëndimit, duke shikuar aparatin osteomuskular dhe duke punuar në të, por edhe në teknikat e tjera fizioterapeutike në mënyrë që përgatitja fizikale dhe rehabilituese të jetë sa më në nivel.

“Epoka e re”: Sa ju ka rënë të merreni me sportistë dhe a mund t’i cekim disa nga sportistët që kanë kaluar përmes duarve tuaja?

Fazliu: Sportistët e kanë kuptuar se rehabilitimi fizioterapeutik u ka ndihmuar shumë në përgatitjen fizike dhe psikologjike në sporte të ndryshme. Mund të them se çdo ditë e më shumë shtohet numri i sportistëve që vijnë për rehabilitim fizioterapeutik para fillimit të sezonit sportiv, por edhe gjatë sezonit dhe si pasojë e lëndimeve të ndryshme. Kam pasur fatin që për tre vjet sa merrem me fizioterapi sportive të punoj edhe me sportistë kampionë. Dua t’i ceki vetëm disa nga ta, si: portierin e kampionit të Superligës së Kosovës, Trepçës ’89, Enis Manxhollin dhe njërin nga mbrojtësit më të mirë në Superligë, Leutrim Bekteshin. Për mua ka qenë nder dhe kënaqësi të punoj me ta. Kam punuar edhe me shumë sportistë të tjerë, por meqë nuk arrita ta marr miratimin e tyre, nuk po ua përmendi emrat, meqë disa nga ta rehabilitimet i bëjnë edhe pa dijeninë e klubeve të tyre meqë mund t’u nxjerrin pengesa të ndryshme.

“Epoka e re”: Sa kohë mund të marrë një rehabilitim dhe rikthim në fushë për një sportist?
Fazliu: Varet shumë nga lloji dhe shkalla e lëndimit, por edhe problemi që sportistët kanë. Ne si fizioterapuetë sportivë, siç e ceka edhe më parë, veprojmë me protokolle rehabilituese duke i mundësuar sportistit jo vetëm rikthim të shpejtë, por edhe duke parandaluar lëndimin e ri, e që kjo e fundit është me shumë rëndësi. Në rastet e lëndimeve më të lehta sportistë kthehen pas disa jave rehabilitimi, por ka raste kur tërë sezonin, apo vitin nevojitet rehabilitim fizioterapeutik.

“Epoka e re”: Sa kuptohet drejt roli dhe rëndësia e fizioterapuetit nga sportistët?
Fazliu: Sportistët janë të vetëdijshëm dhe kuptojnë shumë rolin dhe rëndësinë e fizioterapuetit sportiv dhe duke e ditur faktin që më parë ka pasur vetëm infermier/e të cilët kanë pasur rolin e mjekut sportiv, rëndësia rritet edhe më shumë. Duke i parë rezultatet e rehabilitimet e shpejta dhe të suksesshme, shpeshherë ata thonë se ju jeni të vetmit të cilët do të na riktheni brenda në sport.

“Epoka e re”: A keni raste kur sportistët vijnë për rehabilitim edhe kur ata nuk janë të lënduar?
Fazliu: Ka ndodhur shpeshherë që sportistët të vijnë edhe pa lëndime. Së fundmi, kishim rastin e lojtarëve të Klubit Trepça ’89, të cilët ishin për ta parë gjendjen e tyre fizike dhe duke bërë ekzaminime rreth gjendjes trupore dhe fizike. Krahas kësaj, ne i këshillojmë se çfarë të ushtrojnë dhe si të ushqehen, duke e ditur se ushqimi është esencial për ta.

“Epoka e re”: Cila është këshilla juaj për futbollistët dhe sportistët në përgjithësi?
Fazliu: I këshilloj të gjithë sportistët që sa më shumë të vizitohen tek fizoterapeuti, pasi jo vetëm se do ta shërojnë trupin e tyre, por do të marrin edhe këshilla të nevojshme rreth shëndetit të tyre. pasting

SHPËRNDAJE