Feronikelit i shuhet ëndrra, eliminohet nga Liga e Kampionëve

Feronikeli nuk arriti ta vazhdojë rrugëtimin e ëndrrave në Ligën e Kampionëve, pasi që pësoi disfatë me rezultat 1:0 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja mes Feronikelit dhe The New Saints në “Fadil Vokrri”, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, nuk shkoi në favor të kosovarëve, të cilët pësuan disfatë me rezultat minimal, shkruan Gazeta Express.

Rezultati i mirë nga ndeshja e parë (barazim 2:2 në Uells) kishte bërë që skuadra e Feronikelit të shpresonte në fitore dhe kualifikim në rundin e radhës, për t’u bërë skuadra e parë kosovare që e arrin rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, kjo ëndërr e Feronikelit mbeti vetëm ëndërr, pasi që klubi kosovar nuk arriti t’i shfrytëzojë rastet e shumta për të shënuar ndonjë gol dhe ta vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve. Pas disfatës së sotshme, klubi drenicas do të garojë në kuadër të kualifikimeve për në Ligën e Evropës.

Mundësitë e shumta – si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën – nuk u konkretizuan në gola nga skuadra e Zekirija Ramadanit dhe, për këto raste të humbura, ata u ndëshkuan në minutën e 67-të të ndeshjes, kur Dean Ebbe e kaloi në epërsi kampionin uellsian, TNS, vetëm dy minuta pasi hyri në lojë.

Gjatë pjesës së parë, Feronikeli kishte dominuar plotësisht sa i përket numrit të rasteve të krijuara – gjithsej shtatë, në krahasim me zero raste të mira për të shënuar të TNS. Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu patën më së shumti raste të krijuara. Raportin e plotë të pjesës së parë mund ta lexoni këtu.

Por, pjesa e dytë nuk u shkoi po aq mirë kosovarëve. Qysh në fillim të ndeshjes, Jamie Mullan, lojtari më aktiv i TNS në këtë ndeshje, pretendoi një penallti, pas një ndërhyrjeje të Mendurim Hotit. Megjithatë, gjyqtari nuk e akordoi penalltinë, ashtu siç nuk bëri as disa minuta më vonë, kur penallti kërkoi Fazliu.

Lojtarët e Feronikelit e kërkuan një penallti edhe disa momente para fundit të ndeshje, duke pretenduar se kishte pasur prekje me dorë, siç u pa edhe nga pamjet televizive, mirëpo gjyqtari nuk e akordoi penalltinë.

Por as eliminimi nga Liga e Kampionëve nuk është fundi për kampionin e Kosovës, pasi që Feronikeli tani do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në garat evropiane në Ligën e Evropës. Drenicasit do të takohen me fituesin e duelit mes Slovan Bratislava dhe Sutjeska në kualifikime për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës.

Në anën tjetër, TNS do të përballet me Kobenahvn e Danimarkës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kjo është e 13-ta herë për TNS që garon në kualifikohet për Ligën e Kampionëve. Më së shumti klubi uellsian ka arritur deri në rundin e tretë kualifikues.

SHPËRNDAJE