FESTA E KOTË ME SHAMPANJË, SUKSESI I SOTËM DHE PUNA E PAPËRFUNDUAR DREJT LIBERALIZIMIT

Urimet kishin shpërthyer dhe shampanja ishte hapur për ta festuar liberalizimin e vizave dy vite më parë. Bekim Çollaku si ministër i Integrimeve Evropiane kishte festuar me shampanjë së bashku me kabinetin e tij më katër maj të vitit 2016.

Por jo vetëm Çollaku që sot është aktualisht këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi kishte festuar liberalizimin e rremë të vizave. Edhe ministri i Arban Abrashi kishte uruar kosovarët për “liberalizimin e vizave” me një fotografi ku kishte qenë edhe kryeministri Isa Mustafa.

“Urime qytetarëve se ne si zyrtar dhe si ministra kena pas viza gjithë dhe se kena pas problem, por më në fund e zgjidhem problemin e qytetarëve të zakonshëm, që t’i kryejnë nevojat e tyre, dhe ky me të vërtetë është një moment jashtëzakonshëm e pse jo edhe një moment historik, ne e filluam procesin e liberalizimit të vizave nesër nuk mund të lëvizim lirshëm pa viza, mirëpo kjo do të jetë e mundur brenda pak javësh” ishte premtimi i Çollakut.

“Urime liberalizimi, urime Kosovë. Me MSA dhe liberalizim, perspektiva evropiane merr kuptim të plotë”, kishte shkruar Abrashi, pavarësisht se liberalizimi i vizave nuk kishte ardhur dhe as që kishte qenë afër të vije.

Dy vite kishte zgjatur beteja e Kosovës për dy kushtet e fundit nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Ratifikimi i demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe luftimi i korrupsionit kishin qenë dy kushte të cilat morën mjaftë kohë.

Deputet të arrestuar, gazë në kuvend dhe jashtë saj kishin përshkruar deri sa Kosova kishte arritur ta përmbushin njërin nga dy kushtet e fundit.

Pas shumë gazit të gjuajtur nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, rekomandimi i vizave erdhe muajin e kaluar nga komisionari i Bashkimit Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos i cili tha se Kosova ka marrë rekomandim pozitiv për lëvizjen e lirë në “Zonën Shengen”.

Avramopoulos, gjithashtu paralajmëronte se Kosova deri tek liberalizimi ka edhe më tej rrugë. Kosova do të duhet të sigurojë votat në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave.

“Pas shumë vitesh e muajsh të përpjekjeve dhe punës së madhe, Komisioni tashmë konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Tash, ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtetë shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt”, kishte thënë Avramopoulos./Insajderi.