FFK tregon kur fillon dhe përfundon stinori pranveror

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti sot mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.

KE analizoi përfundimin e garave të stinorit vjeshtor në të gjitha ligat. Nga diskutimet e anëtarëve të KE-së u konstatua se garat patën rrjedhë të mirë, me dinamikën e paraparë në kushtet dhe rrethanat aktuale të pandemisë Covid-19, ku ndeshjet u zhvilluan me orar të ngjeshur.

Për këtë, KE falënderon klubet për angazhimin maksimal në mbarëvajtjen e garave. Gjatë rrjedhës së garave pati edhe ankesa të klubeve, sidomos drejt referimit, por u vlerësua se ato ishin gabime njerëzore dhe nuk ishin të qëllimshme.

KE mendon se të gjitha segmentet e garave dhe puna e secilit do të trajtohen me kujdes dhe në përputhje me Aktet normative dhe karshi kësaj do të merren edhe masat e duhura drejt përmirësimit të cilësisë së garave.

KE gjatë pandemisë, por edhe në fillim të garave i ka mbështetur klubet financiarisht, derisa KE falënderon edhe MKRS-në që ka mbështetur klubet e futbollit sipas pakos për rimëkëmbje. KE është i vendosur që edhe më tutje të qëndrojë pranë klubeve.

Në këtë mbledhje KE mori vendim që stinori pranveror të fillojë më 13 shkurt 2021 dhe të përfundojë më 30 maj 2021.

Duke shqyrtuar kërkesat e klubeve të Ligës së e Parë që të vazhdohet me formatin e njëjtë të garave edhe për një kampionat, KE mori vendim që të miratojë këtë kërkesë të klubeve gjithnjë në të mirë të zhvillimit të futbollit.

Tutje në këtë mbledhje KE mori vendim që të bëhet shpallja e Laureatëve për Vitin 2020 më 23 dhjetor në orën 17.00, ndërsa ky aktivitet do të transmetohet në TV Klan Kosova. Për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19, nuk do të ketë gala mbrëmje me mysafirë tjerë, por të pranishëm do të jenë vetëm anëtarët e KE-s dhe Laureatët e vitit 2020.