“Figura e Gjergjit unifikon shqiptarët, nuk i skandalizon ata!”

Shtatorja e Gjergj Kastriotit duhet të rivendoset në Prizren, por të jetë meritore dhe të bëhet me konkurs ndërkombëtar

Shkruan: Halil Matoshi

1.

Kryetari i Prizrenit tha për TCH-në se do ta themelojë një komision vlerësues me ekspertë, ndonëse është dashur që zëri i profesionistëve të dëgjohet para vendosjes së kësaj statuje, megjithatë më mirë vonë se hiç.

2.

“Arti ruan dhe ruhet” (Deluze e Guatari), pra arti monumental është një nga format e ruajtjes së historisë së lavdishme e jo eksperiment me historinë dhe bartësit e saj. Nuk ka në histori “po qe se!?”, ose “sikur të ishte Gjergji si ky!?”

Nuk ka në histori “sikur”, sepse ajo merret me aktet e kryera dhe mbështetet në fakte.

3.

Sa i përket kinse shtatores së Gjergj Kastriotit nga autori (për mue anonim) më duhet të sqaroj për publikun se:

* Përmasat anatomike të saj janë të pasakta, gjoksin (figura 1) e ka aq nalt në nivel të klavikulës, e jo të parzmorit; te figura 2, dëshmon se autori Sinan Aliaj nuk e njeh anatominë e trupit të njeriut.

* Tipologjia e personazhit në “shtatoren” e Prizrenit është joshqiptare (tipare të carëve e knjazve sllavë, bullgarë, serbë…).

* Ka karakter joushtarak, ndërsa figura e Gjergjit duhet ta ndërlidhë atë me komandantët e luftës së shqiptarëve për liri, para dhe pas tij; që nga iliro-dardanët deri te Adem Jashari, kurse narrativi për Gjergjin i autorit Aliaj është osman. Këtë e pranoi edhe vetë autori në TCh. “Sulltani e ka dashur më shumë se fëmijët e tij. Jam bazuar te Perandoria Otomane, ku edhe u rrit dhe u shkollua. Vetë sulltani e tregon që ai ka vepruar në dobi të Perandorisë Otomane”. (Citoj sipas Parim Ollurit.)

* Kjo skulpturë ka mungesë shprehjeje të lëvizjes (dinamikës) së trupit të një heroi;

* Artistikisht është pa vlera të shënuara. Heroi si vepër arti monumental duhet të shpërfaqë të bukurën dhe të madhërishmen si kategori estetike, të ngjallë frikë për armiqtë dhe respekt e admirim te populli (publiku);

* Autori nuk e ka përfillur traditën letrare (Barleti) ose artistike të narrativit të Rilindasve për skënderbegianen (modelin Odhise Paskal, Janaq Paqo dhe gravurat perëndimore – shih: Libri i Luan Tashit: “Portretet e Skënderbeut”).

* Personalitetet historike të skalituna në bronz duhet me tejçue mesazh unifikues te shoqëritë përkatëse. Duhet të ngjallë ndjenjë krenarie e vetëbesimi të njerëzve të atij territori që e ka një histori të veten.

* Autori ka gjasë të ketë marrë modele templarësh, si: p.sh. Kalorësin e Tomarit, shtatore portugeze. (Shih figura 3)

P.S.

Sapo e lexova një kinse-reagim plot shpifje e t’bazuem në fake news të njëfarë Nue Oroshit dhe Shoqatës diku në mërgim “Trojet e Arbrit”.

Një manipulim i tmerrshëm, që është punë për gjykatë, jo për mu!?

Figura 1 dhe 2

Gjoksi është skalitur në nivel të klavikulës, sipas anatomisë së trupit të njeriut, ai duhet të jetë në nivel të parzmorit (rrashtës);

3. Kalorësi i Tomarit, shtatore portugeze. (Shih figura 3)