“Fjala “Allahu ekber” nuk është fjalë e parullës, as e thirrje për luftë apo betejë, por është akt adhurimi ndaj Zotit!”

Shkruan: Dr. Benjamin Idrizi

Bunjamin Idrizi është i lindur në Shkup në vitin 1972, në Maqedoninë Veriore. Që nga viti 1995 ai është imam i Bashkësisë Islame në Penzberg, si dhe Kryetar i Forumit Islam të Munihut

Të identifikohesh me një fe, në rastin tim me Islamin, nuk do të thotë që të besosh vetëm në Zotin, por edhe të bartësh përgjegjësi. Religjioni njerëzit i bënë të ndjejnë  përgjegjësi, përgjegjësi edhe për paqen.  Islami ndër të tjera, fjalë për fjalë do të thotë “ Paqe”. Koncepti i paqes në Islam, pas gjithë botëkuptimit të një myslimani, shihet si forca më e rëndësishme lëvizëse. Ai duhet të shprehë dëshirën për paqe në të gjitha aktivitetet e tij. Praktika e tij fetare,  kur bëhet fjalë për paqen, ka gjithashtu rëndësi dhe dimension të gjerë shoqëror. Kur vjen koha e namazit, praktikuesit e besimit i lënë pas detyrat e kësaj bote  dhe komunikimet që kamë, për ti kushtuar   disa minuta lutjes së tyre, bisedës me Zotin.

Çdo namaz ditor fillon me fjalën  Allahu Ekber, e cila  përsëritet në çdo lëvizje gjatë lutjes. Por, namazi nuk përfundon me këtë fjalë, por me fjalët  “Es-selamu alejkum ve rahmetullah”(Paqja dhe rahmeti-mëshira e Zotit qoftë mbi ju)!.  Besimtari, këtë dëshirë dhe lutje për paqe  e thotë gjithmonë  në përfundim të namazit,  duke e kthyer  fytyrën e tij edhe në anën e djathtë dhe në të majtë. Më pastaj  vijon lutja e tij,  të cilën e ka rekomanduar edhe Profeti : “O Zot! Ti je Paqja, Nga Ti vjen Paqja, Na beko neve me Paqe!”.  Me këtë lutje, besimtari përfundon namazin dhe  lutjen e tij para Zotit, kurse jeta e tij me njerëzit nën frymën e paqes vazhdon më  tutje.

Ky ritual i cili përsëritet pesë herë në ditë, duhet të përcjell një mesazh: Me që, gjatë namazit dhe lutjeve  ishe në paqe me njerëzit, atëherë duhet që edhe pas namazit, për të gjithë njerëzit e gjithë botës pa marr parasysh se në cilën anë janë, në të djathtën apo në të majtën, të qëndrosh gjithmonë  paqësor me ta. Meqë ti, me selamin tënd i ke premtuar të gjithëve paqe, atëherë duhet të mësosh  që edhe  përmes namazit me   gjithë njerëzit të sillesh në mënyrën më miqësore të mundshme.

 Për këtë arsye,  edhe namazi i jonë përfundon me fjalën “Es-selamu alejkum,” (Paqja qoftë mbi ju”),  e jo me fjalën “Allahu ekber”, ( Zoti është më i madhi) !.

Shqiptimi i kësaj fjale është një formë adhurimi, përmes së cilës, një mysliman e njeh fuqinë absolute të Zotit, dhe kështu demonstron  edhe përulësinë e tij në vend të arrogancës.

“Allahu ekber” nuk është fjalë e parullës, e nuk është as thirrje për luftë apo betejë, sikur nuk është as frazë për goditje, por është një akt adhurimi, është një fjalë të cilën  qenia njerëzore e thotë vetëm në namazet   dhe lutjet e tij rituale.  Shqiptimi ynë i shoqëruar me besimin se, Zoti është më i madhi donë të thotë se,  Ai është më i madh sesa egoja e jonë, si dhe më i madh sesa gjithçka  që ne mund ta imagjinojmë.

Ka njerëz, megjithatë, të cilët janë të pirur për  konfrontime dhe agresione, e deri në veprime terroriste dhe vrasje. Për këto veprime, ata edhe mund thërrasin dhe bërtasin me gojët e tyre fjalën  Allahu ekber, duke u shtirur se janë duke vepruar në emër të Islamit, e duke  apeluar  që të trajtohen edhe si mysliman.  Pikërisht, ky është keqpërdorimi më i madh i emrit të  Zotit, dhe  në të njëjtën kohë mëkati më i madh që ata e bëjnë. Ky  veprim i tyre është një shenjë, se besimi dhe rituali i tyre i lutjes  është i pakuptimtë dhe  shumë larg vlerave etike.

Namazi, nuk është vetëm një detyrë ndaj Zotit, apo një ritual që është urdhëruar nga qielli, por është një praktikë e cila synon t’i edukojë njerëzit në lutje paqeje. Zoti donte të siguronte paqen midis banorëve të tokës  dhe jo paqen e Tij, gjë që nuk i nevojitet, sepse ai vetë është paqe absolute.

 Në kohë frike, sfidash dhe dhune, Kurani na këshillon që të jemi të durueshëm dhe të përmbajtur(2:17). Të njëjtën kohë, na përkujton se, vrasja e një njeriu është e barabartë me vrasjen e gjithë njerëzimit (5:32). Prandaj, Zoti na thërret, që në paqe të hyjmë të gjithë kolektivisht(2:208) , sepse paqja është e shenjtë kurse  lufta është e neveritshme.  Paqja është bazë e çdo gjëje. Në Kuran, fjala “Selam” (Paqe) është përsëritur 36 herë. Përmes kësaj përsëritje rikujtuese, nënkuptohet se Kuranit i nxit njerëzit të kërkojnë paqen, sikur edhe tregon  se, nuk ka asnjë alternativë ndaj Islamit për paqen. Paqja është thirrja e përbashkët e të gjitha feve. Si pasojë e urdhrit për  paqe, të gjithë  dhe kudo, pa asnjë mëdyshje duhet të deklarojnë pandërprerë dhe të protestojnë me zë të lartë kundër të gjithë atyre që rrezikojnë bashkëjetesën paqësore ndërnjerëzore. Asnjëherë  si më parë, kjo nuk ka qenë më e rëndësishme sesa tani  për të gjithë ne, që të bëhemi të vetëdijshëm se, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe paqja janë interpretimet themelore të bashkëjetesës dhe progresit tonë.

Zoti u kërkon myslimanëve që në lidhje me të tjerët të drejtohen nga standardet e mirësisë –birr dhe të drejtësisë- kist. “Allahu nuk ju ndalon të bëni drejtësi me ata që nuk ju luftuan  për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që e mbajnë drejtësinë”.(60:8).

Gjermania është një shtet i cili të ikurve nga konfliktet e luftës  u  ka ofruar një strehim  dhe siguri. Myslimanët në Gjermani e kanë përmbushur kulturën mikpritëse të popullatës me kujdes. Termi birr –mirësi në këtë ajet, përshkruan shkallën e emërtimit midis myslimanit dhe jomyslimanit,  si dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me të mirën. Kurani nga ne kërkon poashtu, që prindërit tanë ti trajtojmë me birr– mirësi. Ata janë ata që Zoti  përmes tyre dëshiron t’u thotë myslimanëve: Ashtu siç silleni në mënyrën më të mirë ndaj prindërve tuaj, ju duhet të silleni në të njëjtën mënyrë edhe ndaj atyre që jetojnë në paqe me ju. Kjo është e mundur, nëse jemi njerëz që kemi një botëkuptim të fesë tjetër. Raca dhe gjinia duhet të trajtohen me tolerance. Sepse jo toleranca ushqen urrejtje dhe armiqësi në një shoqëri e cila  shpie në konflikte. Me tolerancë nuk humbet asgjë, humbësja është jo toleranca. Një mysliman, fillimisht u afrohet të tjerëve me tolerim, para se të presë tolerancë prej tyre. Toleranca është një virtyt i bukur dhe kërkon guxim dhe çiltërsi të mendjes.

Nëse ekziston një mungesë e tolerancës midis anëtarëve të një shoqërie, atëherë kjo është një shenjë, se asaj në të vërtetë i mungojnë vlerat dhe dashuria. Bamirësia është një hap më lart sesa toleranca dhe dashuria, sepse ajo nga ana tjetër nxit që zemra të lirohet nga paragjykimet dhe urrejtja.

Vetëm në këtë mënyrë është e mundshme që trajtojmë paqen.  Profeti, para se të largohet nga kjo botë, e kishte mbajtur një fjalim lamtumirës, përmes së cilët i ishte drejtuar gjithë shoqërisë njerëzore duke apeluar. “Ju nuk guxoni që pas vdekjes time të luftoni njëri tjetrin, të  derdhni gjak, ose  të bini në veprime ekstreme, por të jetoni  me njëri tjetrin në paqe me  kujdese  dhe dashuri. O ju njerëz ( mysliman dhe jo mysliman) që  të gjithë, të jeni e të jetoni si vëllezër e motra”.

Nevoja më e madhe, e në të njëjtën kohë  edhe detyra më e vështirë e epokës sonë është, që të mbjellim idenë në kokën e njerëzve për të perceptuar njerëzit pa dallim,  si motra dhe vëllezër në njerëzim. Ne jemi të detyruar të punojmë vazhdimisht për këtë. Paqja nuk është një dhuratë, por një detyrë. Ndonjëherë, gjestet e vogla janë piketa të rëndësishme në rrugën drejt paqes.

Le të fillojmë me përgatitjen për paqe në formën e dëshirave të mira dhe t’u themi “Gëzuar Krishtlindjen” fqinjëve, miqve dhe kolegëve tanë jomyslimanë, që edhe ata pastaj të na përgëzojnë  neve kur vjen koha e agjërimit- ramazani. Kështu, ne  edhe zbatojmë  këshillat e profetit tonë Muhamed,  i cili na mësoj se si ta mbajmë paqen me veten dhe me të tjerët:

“Ju nuk do të besoni derisa të keni respektuar dhe dashuruar njëri-tjetrin. A dëshironi  t’ju tregoj se si do ta doni dhe respektoni njëri-tjetrin. Shpërndani paqen –selamin mes jush”.

Gazeta Abendzeitung- Munchen. de

16.12.2020

Përktheu dhe përshtati nga gjermanishtja në gjuhën shqipe Xhabir Hamiti