Fjalimi emocional i motrës së Florijetës, që u mbyt nga aksidenti në ‘Rrugën B’

Në Pallatin e Drejtësisë qytetarë e familjarë të Florijeta Rugovajt dhe Lindita Abdullahut kanë protestuar kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila më 4 mars të këtij viti e dënoi me 3 vjet e gjysmë burg Luftrim Musaj, i cili ishte shkaktar i aksidentit në “Rrugën B”.

Në këtë protestë foli edhe motra e Florijeta Rugovajt, Donjeta.

Ajo tha se me këtë vendim të gjykatës, drejtësia i vrau për herë të dytë Florijetën e Linditën, kurse familjarët po i vret për së gjalli.

Më poshtë gjeni fjalimin e Donjetës, motrës se Florijeta Rugovajt:

Lindita dhe Florijeta ishin në një ditë të zakonshme pune. Ishin në përfundim të orarit të punës dhe prisnin të ktheheshin në shtëpi. Në shtëpi ishim ne që i prisnim, që u shqetësuam, që shpresonin të na ktheheshin më të dashurat tona.

Ato nuk u kthyen më kurrë me këmbët e veta, na u kthyen në arkivol. Motrat tona i prisnim ne, Linditën e priste fëmija i saj që aq shumë e kërkoi e po vazhdon ta kërkojë ende nënën e saj. Si mund të kujtoj një fëmijë aq i vogël se nuk do ta shoh më nënën e vet. Do të pyes, çfarë mëkati ka bërë që u detyrua të rritej jetim e pa dashurinë e ngrohtësinë e nënës. Do t’i pyes çfarë ka ndodhur me njeriun që e la pa nënë, a t’i themi që u lirua. Çfarë force mbinjerëzore duhet të kesh që t’i thuash një fëmije që ky njeri endet i lirë sepse shteti i mbrojti, sepse shteti i vrau nënën po edhe aq sa edhe ai që shkaktoi aksidentin. Deri kur, deri sa të shkaktojë viktimën e radhës, deri kur…

Florijetës i mbeti jeta në fillet e saj, i mbeti në gjysmë padrejtësisht jeta. Motra jonë kishte shpresa e ëndrra që priste ti realizonte në Kosovë, priste të plakej në këtë vend që s’i solli asgjë tjetër pos vdekjes.

E ku ta marrim forcën ne e ku të bëjmë ballë që ta jetojmë këtë dhimbje që na e bën të zezë çdo ditë tonën. Ku është drejtësia që po i vret Florijetën e Linditën për herë të dytë e neve po na vret për së gjalli

SHPËRNDAJE