Flet Adem Grabovci pas vendimit të Gjykatës: E kam ditur se do të shpallem i pafajshëm

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur sot aktgjykimin për rastin “Pronto”, ku të gjithë të akuzuarit u liruan nga akuza.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë

shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës, Adem Grabovci u shpreh se e ka pritur një vendim të tillë.

Ai theksoi se për të befasuese ka qenë ngritja e aktakuzës dhe rihapja e hetimeve.“Së pari unë nuk e kam pritë që do të vie puna për ngritje të aktakuzës, sepse ky ka qenë një proces i hetuar nga ELUEX-i dhe i përfunduar me një vendim se nuk ka pas asnjë provë.

Ajo që mua personalisht më ka shqetësuar më së shumti ka qenë pasiguria juridike që është shkaktuar për të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ngritja e kësaj aktakuze dhe rihapja e hetimeve pas konsultimi të një

procesi nga një trup gjykues pa pasur asnjë provë me u rihap është absurditet dhe është rasti i parë”, ka thënë Grabovci.

Grabovci tutje shtoi se rihapja e hetimeve ndaj tij dhe të tjerëve, ka qenë mesazh se për interesa të një grupi apo individi mund të godasin për të degraduar apo edhe eliminuar.

“Për mua gjykimi publik është bërë, më vjen për keq për të gjithë ata dashamirë që më kanë përkrahë gjatë tërë këtij procesi që janë malltretu kot, për mu ka qenë i ditur ky epilog, nuk është diçka befasuese,

befasues ka qenë rihapja e hetimeve dhe kjo për mu ka nënkuptua dhe ka qenë si mesazh se kur tenton dikush për interes të një grupi apo individi mund ta godasë kënd ta dojë për ta degraduar dhe eliminuar dikë”, u

shpreh Grabovci për Telegrafin.Tutje ai shtoi se për këto tri vite nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me këtë rast, pasi siç tha ai “kam dashur t’ia lë duart e lira drejtësisë”.

“Për këto tri vite që ka ndodh ky rast me gjithë presionin që kam pas nuk kam pranuar të prononcohem edhe pse e kam ditë që e drejta është në anën time, por kam dashur ta shpreh besimin në institucionet e vendit tim, kam heshtur sepse kam dashur t’ia lë duart e lira drejtësisë”, tha Grabovci.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziri dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

SHPËRNDAJE