Flet Bejtush Gashi – I përfoluri për pozitën e ministrit të Brendshëm

Anëtari i AKR-së, Bejtush Gashi nuk e ka mohuar që ai do të jetë pasues i Flamur Sefajt, si ministër i Punëve të Brendshme.

Ai nuk e ka mohuar lajmin që kryetari i AKR-së, e ka propozuar atë për ministër të Punëve të Brendshme.

Tha se nuk dëshiron të flas, duke shtuar se është “duke i pritur procedurat”.(Kliko mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

“Nuk po du të flas një herë. Po pres që të zyrtarizohet gjithka, pastaj flasim. Po i presim procedurat”, ka thënë shkurt Gashi për Insajderi.

Gjatë ditës është raportuar që kryetari i AKR-së, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ia ka dërguar kryeministrit Haradinaj emrin e Bejtush Gashit, për ministër të Punëve të Brendshme.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar zyrtarë të AKR’së, por nuk janë përgjigjur.

E, ndryshe, Donjeta Gashi, zëdhënëse në qeverinë Haradinaj ka thënë se deri në ora 16:00, nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Behgjet Pacolli për Ramush Haradinajn, lidhur propozimin e personit që do ta zëvendësojë ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

“Nuk ka asgjë zyrtare për ministrin e Brendshëm. Të paktën deri në ora 16:00, nuk ka pasur një kërkesë të tillë“, ka thënë Gashi.

Flamur Sefaj, ishte shkarkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, pas rastit të arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.