Flet ministri nga PDK, për kërcënimin që ua bëri Sami Lushtaku se ‘nuk ka bir nane që e largon nga partia’

Një deklaratë e kryetarit të PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, i cili tha dje se “nuk ka bir nane që e largon nga PDK”, i ka bllokuar zyrtarët më të lartë të kësaj partie, shkruan Gazeta Blic.

Kjo pasi që vendimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për largimin nga pozitat drejtuese brenda partisë për të gjithë ata që kanë aktakuzë, ka ngjallur reagime të njeriut që ka qenë pjesë e partisë që nga dita e parë e themelimit.

Sami Lushtaku, me një status gjatë ditës së djeshme goditi kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, duke thënë se nuk do të mundet askush që ta largojë nga partia.

Lushtaku i godet disa persona brenda PDK-së, duke thënë se ata duhet të largohen nga partia, pasi siç ka thënë ai “ata e kanë kapur Kosovën dhe po kontrollojnë gjithçka”

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar ndër të tjera, Lushtaku.

E këtë deklaratë, nuk po e komenton zyrtari i lartë i PDK-së, njëherësh ministër i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai në një bisedë me Gazeta Blic, ka thënë se nuk i komenton deklaratat e askujt brenda PDK-së, teksa ka përmendur se kjo parti në procesin e zgjedhjeve të brendshme ka treguar për siç ka thënë ai “unitetin që ekziston brenda tyre”.

I pyetur se ‘përplasjet’ kanë ndodhur pas përfundimit të procesit zgjedhor, dhe se a ka ndryshuar atmosfera brenda PDK-së, Tahiri sërish ka heshtur.

Sërish u thirr se “PDK në procesin zgjedhor ka qenë e unifikuar”.

“Procesi i brendshëm zgjedhor brenda PDK-së, ka treguar se brenda kësaj partie ekziston një unitet më i madhi në partitë në Kosovë. Kështu që, unë nuk i komentoj deklaratat e Samiut (Lushtakut), e të askujt tjetër”, ka thënë Tahiri për Gazeta Blic.

Kur Gazeta Blic e ka pyetur se a mendon që Lushtaku duhet ta respektojë vendimin e Veselit, ai sërish ka heshtur.

Ka thënë se nuk i komenton as këto çështje.

“Jo nuk i komentoj. E them prapë që PDK ka pasur një proces zgjedhor fantastik. Tjerat nuk i komentoj”, ka thënë Tahiri.

Abelard Tahiri, zyrtar i lartë i PDK-së/ Ministër i Drejtësisë

Por, procesi zgjedhor brenda PDK-së ka kaluar pa incidente të theksuara. Nga ato zgjedhje edhe Sami Lushtaku është zgjedhur edhe kryetar i PDK-së në Skenderaj, por edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

Madje, në reagimin e ashpër për vendimin e Veselit për largim nga pozitat partiake për ata që kanë aktakuzë, Lushtaku ia ka rikujtuar kryetarit të PDK-së, që ai është zgjedhur kryetar i degës në Skenderaj, që nënkupton që ai posedon përkrahje brenda partisë.

“Ditëve të fundit në media është lakuar pa të drejtë emri im, lidhur me disa vendime të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës. Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time”, ka thënë ndër të tjera Sami Lushtaku.

SHPËRNDAJE