Flet studentja që ndërpreu studimet pasi u ngacmua seksualisht: Profesori më mbylli në zyrë, filloi të…

Një ish-studente e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” publikisht ka deklaruar se para dy vjetësh është sulmuar seksualisht nga një profesor i Fakultetit të Arteve, raporton KTV.

Ajo thotë se ngjarjen e ka raportuar edhe në polici por nuk është ndërmarrë asgjë lidhur me zbardhjen e rastit. Jeta Berisha tani 25 vjeçare thotë se pas këtij sulmi seksual, ajo i ka ndërprerë edhe studimet.

Ajo nuk ka treguar emrin e profesorit, por tregon se muaji maj i vitit 2016 kishte qenë i tmerrshëm për të.

Ajo tregon se si kishte shkuar në zyrë tek profesori për të marrë një xhirim që do i duhej në një lëndë tjetër.

“E ka mbyll derën me çelës edhe ka provu mem prek. Kam arrit me dal prej zyrës. I kam thanë mos mem prek. E kam hap derën e jam larguar”, thotë ajo.

Ajo tregon se si për dy javë nuk kishte shkuar fare në fakultet për shkak të asaj ngjarjeje që kishte përjetuar.

Ndërsa rastin e ka lajmëruar edhe në Polici.

“Ata më pyetnin a të ka pa dikush, a ki fakte me na dëshmu. Normal që s’kam se unë s’jam përgatit për me qenë ashtu e sulmuar”, thotë ajo.

I kontaktuar nga KTV-ja, dekani Agim Selimi thotë se nuk ka marrë kurrfarë letre nga studentja në fjalë.

Por zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se përgjigjet do të kthehen të enjten, pasi duhet verifikuar saktësisht të dhënat. Rastin e saj Jeta Berisha publikisht e ka bërë të ditur edhe në aksionin e studentëve kundër deklaratës së prorektores Teuta Pustina, e cila kishte thënë që studentet duhet të kenë kujdes për veshjen e tyre në institucione arsimore.

Ndërkaq, në një komunikatë për media nga Universiteti i Prishtinës, thuhet se rektori Marjan Dema me shqetësim është duke i përcjellë zhvillimet lidhur me këtë çështje dhe kur të kthehet nga udhëtimi zyrtar, do të veprojë sipas nevojës.

SHPËRNDAJE