Formula e “çuditshme” e LDK-së që po diskutohet për kandidatin për Kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës, kohët e fundit është duke e diskutuar brenda strukturave partiake, për ta nominuar kandidatin për kryeministër nga kjo parti.

Një diskutim i tillë është bërë edhe gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Përgjithshëm, por po ashtu edhe sot kur pritet të mblidhet edhe Kryesia e Lidhjes Demokratike.

Burime të Gazeta Blic brenda LDK-së, kanë treguar se njëri prej opsioneve të diskutuara brenda organeve partiake, është që të futen në zgjedhje pa kandidat për kryeministër, por vetëm me bartës liste.

Sipas këtij burimi, është diskutuar që , Isa Mustafa, të jetë bartës i listës zgjedhore, por pa qenë i nominuar për kryeministër.

“Njëri nga diskutimet është që të futemi në zgjedhje pa kandidat për kryeministër, por vetëm me bartës liste. është diskutuar që Isa Mustafa, të jetë bartës i listës, por jo kandidat për kryeministër”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.

Tutje ky burim ka thënë që Isa Mustafa, përkundër që është diskutuar që të jetë kandidat për kryeministër, ai është shprehur se nuk ka ambicie për këtë post, duke shtuar se Mustafa nuk do të jetë kryeministër nga LDK, ani pse në garë do ta ketë numër 1 në listë.

E gjithë kjo pritet të vendoset brenda ditës së sotme, eventualisht deri tek hënën.

Gazeta Blic, raportoi të enjten se pas zgjedhjes së kryesisë së LDK-së, kjo parti shumë shpejt do ta zgjidh edhe çështjen e të nominuarit për kryeministër.

Burimet kanë përmendur tre emra potencialë, që do të mund të ishin kandidat për shef të qeverisë nga radhët e LDK-së.

Vjosa Osmani, Lutfi Haziri dhe Kujtim Shala, janë përmendur si opsionet për të qenë kandidat të kësaj partie për të parin e qeverisë.

“Derisa Haziri konsiderohet se ka numër më të madh të atyre në Këshill të Përgjithshëm, në anën tjetër, Vjosa Osmani ka mbështetje më të madhe nga elektorati i LDK-së”, thonë këto burime, duke shtuar, se nëse nuk ka një “pajtueshmëri” për njërin nga këta kandidatë, me gjase mund të ndodhe ndonjë kompromis.E, si kompromis po përflitet emri i Kujtim Shalës.

“Nëse shihet si rrezik i madh përçarja në parti, pra krijohen dy grupacione, bë ata që e mbështesin Vjosa Osmanin dhe në atë që e mbështesin Lutfi Hazirin, shumë lehtë mund të shkohet tek ndonjë kandidat i tretë, konsensual. Si emër i mundshëm po përmendet ai i Kujtim Shalës”, ka thënë ditë më parë ky burim.

SHPËRNDAJE