Foshnja e vetme e prekur me Covid-19 lirohet nga QKUK-ja

Një foshnje e cila ishte në trajtim në repartin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë të Qendres Klinike dhe Universitare të Kosovës është liruar nga spitali.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Neonatologjisë Xhevdet Gojnovci.

Gojnovci tha se foshnja ka lindur më datë 22 qershor.

Ai shtoi se trajtimi i foshnjes në këtë klinikë është bërë nga data 6 korrik.

Doktori theksoi se tani gjendet në shtëpi pranë prindërve.

“Foshnja ka lindur me datën 22 qershor në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, pastaj është liruar në gjendje të mirë shëndetësore, ka shkuar në shtëpi. Me datë 6 korrik, është pranuar në Klinikën e Neonatologjisë me temperaturë që ka pas problem dhe me sistemin respirator. Pas anamnezës që i është marrë nga nëna, e cila konfirmon se ka pasur anëtarë të familjes me Covid pozitiv, ne kemi kontaktuar organet kompetente pranë QKUK-së, i kemi marrë mostrat nga foshnja dhe nëna, në këtë rast kanë rezultuar të dy pozitivë”.

“Menjëherë foshnja është transferuar në kujdesin intensive në hapësirën e veçantë të Klinikës së Neonatologjisë ku është rezervuar të merr kujdes vetëm kjo foshnje. Foshnja është trajtuar fillimisht me oksigjen sipas protokollit. Pas dy ditësh i është ndërprerë temperature dhe ka filluar të përmirësohet, janë bërë edhe ekzaminimet radiologjike të cilat dje më datë 13 ku është përsëritur nuk vërehen ndryshime, që d.m.th është përmirsuar sistemi respirator. Sot foshnja është liruar nga Klinika e Neonatologjsë me gjendje të përmirsuar dhe është pranë prindërve”.

Sipas informacioneve kjo foshnje deri më tani është e vetmja e prekur me Covid-19.

SHPËRNDAJE