Fotografinë që e publikoi Brovina, dëmtoi procesin e njohjes ligjore të viktimave të dhunës seksuale

Në Kosovë nga rreth 20 mijë persona sa besohet se janë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit, vetëm rreth dy mijë prej tyre kanë treguar për krimin e bërë mbi ta. Institucionet e Kosovës po punojnë shumë ngadalë për verifikimin e tyre e aq më pak për të dënuar kryesit e veprës, edhe pse ka fakte për shumë prej tyre se kush ishin. Organizatat që trajtojnë këto raste po punojnë që viktimat të mos stigmatizohen, ndërkohë së fundmi edhe pse pati disa veprime në përkrahje të tyre, ndodhën edhe disa të tjera që po dëmtojnë gjithë procesin.

Në një intervistë për KosovaPress, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti flet për fotografinë e publikuar nga deputetja Flora Borvina dhe si ndikoi ajo te të mbijetuarit, tregon se çfarë duhet bërë dhe shpjegon si po shkon procesi për verifikimin e tyre.

Rushiti thotë se në Kosovë, për shumë arsye, shumë prej viktimave nuk pranojnë të flasin me askund dhe për asnjë arsye, ndërsa shpjegon se në Kosovë ka fëmijë të dhunimit.

Ajo është këmbëngulëse që të identifikohen dhe të kenë trajtime shëndetësore dhe të të gjitha llojeve që u nevojiten, ndërkohë garanton se procesi do të jetë konfidencial, askush nuk do të mund t’i identifikojë me emra.

Rushiti thotë se çdo publikim i ndonjë fotografie apo qoftë edhe uniforma ushtarake i kthen viktimat në periudhën kur u ndodhi krimi dhe ritraumatizohen. Teksa flet për fotografinë e publikuar nga Brovina, thotë se ajo shumë herë ka publikuar fotografi që nuk duhet, por që nuk kanë mundur ta ndalojnë.

Rushiti: Brovina ka pasur fotografi të ndryshme shumë herë i është tërhequr vërejtja Video

“Disa gra aty kanë filluar me qajtë, edhe kanë thënë “ ne nuk besojmë, a duhet të qëndrojmë në organizatë, si duhet me vepru?. Edhe për neve si organizatë ka qenë një veprim ku s’kemi ditë qysh të veprojmë……..zonja. Flora Brovina në Qeveria apo edhe jashtë nëpër takime të ndryshme, ka bartur shumë fotografi, jo vetëm këtë por edhe shumë të tjera, disa herë ia kemi tërhequr vërejtjen, madje thoshte se i ka edhe në telefon. Ajo deklaronte gjithmonë se i ka diku rreth një mijë raste që punon me to, e që ka dokumentacione të nevojshme e që do përdoren për qasje në drejtësi apo edhe verifikimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale. Sikurse çdo organizatë e drejta e saj ka qenë t’i mbaj ato, por jo në sirtare, duhej të deponohen për verifikim apo për arsye gjyqësore”, thotë ajo.

Rushiti thotë se pas publikimit të fotografisë, një e mbijetuar i ka lutur që ta fshijnë komplet nga regjistrat, pra nuk dëshiron që të deponojë informata për komision, në njërën nga organizatat e ka tërhequr komplet dosjen sepse i ka humbur besimi te institucionet. Ndërsa një rast tjetër ku i ka kaluar rehabilitimit dhe është në fazën e rimëkëmbjes ekonomike, e teksa afër hapjes së biznesit, bashkëshorti i saj ka deklaruar se ajo është mbyllur dhe po refuzon gjithçka.

Ajo tregon se të mbijetuarat nuk duan më që të traumatizohen sërish familjet e tyre.

“Ka pasur heshtje, ka pasur goditje, ka pasur mohim, ka qenë mohim në kohëra të caktuara, megjithatë me paraqitjen publike të Vasfije Krasniqi Godman, sikurse shoqëria ka pasur një lloj solidariteti. U krijua një moment i ri shoqëror, për faktin që ajo grua ka marrë aq shumë përkrahje, e kanë quajtur heroin, ju dha përkrahej shumë prej tyre që thonin se do të donin të ishin në karrigen e saj, por ajo mori guximin e theu akullin. Dhe pikërisht në kulminacionin e këtij zhvillimi, ndodhi ky lloj lëshimi në Parlamentin e Kosovës, por ne si organizata por edhe institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojmë që një lëshim i tillë të rrënoj punën 20 vjeçare. Po mundohemi që të sigurojmë viktimën që ajo me u ndje prapë e fortë, me pas besimin në institucione, në organizata dhe me vazhdu rrugëtimin tonë tutje, qoftë për të drejtat në kuptimin e reperacionit, qoftë për qasje në drejtësi”, thotë Rushiti.

Në katër organizatat që punojnë me të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë, gjithsej llogaritet që janë rreth dy mijë raste që deklarojnë për atë që iu ka ndodhur. Ndërsa ka raste që janë zhdukur, janë vrarë apo edhe vetëvrarë. Ka me çrregullime psikiatrike, ka nga ato që janë rikuperuar dhe nuk hapin më këtë temë.

Ajo shpjegon se si erdhi deri te numrin rreth 20 mijë, sa besohet se janë të dhunuar seksualisht në Kosovë.

“Narrativat e luftës dominohen nga maskuliniteti dhe padyshim që shumë herë i vënë në pikëpyetje këto shifra. Ky numër, 20 mijë nuk vjen nga organizatat joqeveritare të grave, nuk vjen nga institucionet e Kosovës, por vjen nga një studim i bërë nga CDC, Center for Diseas Control, është institut epidemoliologjik i vendosur në Atlanta, në Amerikë dhe merret me studime në gjithë botën. Ata nuk kanë pasur për qëllim me mat vetëm incidencën e dhunës seksuale në luftë, por ka pasur për qëllim me mat traumat dhe impaktin e traumave te personave të traumatizuar gjatë luftës. Në atë studim kanë konqidu që 4.4 % e respodentëve kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Mostra reprezentative kur është shumuar me numrin e banorëve të përgjithshëm të Kosovës ka dalur që është 20 mijë, shifër që është përdoruar pastaj nga të gjitha institucionet serioze nëpër botë”, thotë Rushiti.

Tregon se për verifikimin e statusit kanë aplikuar rreth 1 mijë e 300 persona, ku 400 prej tyre tashmë kanë filluar të gëzojnë beneficione.

“Pse është ky numër kaq i vogël i atyre që kanë aplikuar lidhet me procesin e shqyrtimit të lëndëve. Mos të harrojmë që kanë kaluar 20 vjet e nuk është e lehtë as për viktimat, e as për komisionin për t’i shqyrtuar. Mirëpo, periudha prej një vit, është shqetësim për ne sepse shumë prej atyre që kanë marrë guximin me dëshmu çka iu ka ndodhur, të deponojnë fotografi, dëshmi apo çkado tjetër për të marrë këtë status, kanë pasur dilema në familje dhe nuk ka qenë e lehtë, dhe kjo vonesë e stërzgjatur dhe e paafatizuar po iu shkakton edhe më shumë kokëçarje dhe dilema në falje, por punojmë për të parë që kjo periudhë e stërzgjatur e vlerësimit të aplikacionit të shkurtohet”, thotë Rushiti.

Ndërsa ka mbi 200 raste që u është refuzuar kërkesa për statusin. Thotë se vijnë kryesisht nga burime të tjera si rast dhe jo përmes organizatave. Pra, mungesë e dëshmive të mjaftueshme.

Në rast refuzimi dhe pastaj procesi përmes gjykatave po i demotivon edhe më shumë viktimat. Për këtë po punohet që procesi të jetë sa më i shpejt.

Rushiti thotë se të mbijetuarit duhet të marrin shërbime shëndetësore falas, sepse kanë probleme tepër të mëdha, dhe organizatat mund të ndihmojnë me disa gjëra, por jo me ndërhyrje. Për këtë, thotë se po punojnë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Dhunime seksuale besohet se ka pasur në gjithë Kosovën, kryesisht në zonat operative të UÇK-së, ngase dhunimi është përdorur si mjet hakmarrje. Ndërsa, thotë se në Kosovë ka edhe fëmijë të dhunimit.

“Fati në fatkeqësi që shumica nga gratë të cilat kanë mbetur shtatzënë kanë dalur jashtë, edhe qoftë në Kukës apo në Maqedoni, janë munduar në forma të vrazhda të abortojnë. Ka nga ato që thuhet edhe nga artikujt ndërkombëtarë që kanë lindur dhe ua kanë dredhur kokën, por ka nga ato që i mbajnë ende fëmijët, edhe i kanë mbajtur. Për të folur me saktësi duhet përmes ADN-së të përcaktohet prindësia që te ne nuk ka arritur ende. Numri nuk është i madh të paktën për në organizatën tonë, por mund të ketë numër më të madh në vende të tjera. E keqja është që as në ligj nuk parashihet asnjë beneficon për këta fëmijë, pavarësisht që janë fëmijë të dhunës ata duhet të gëzonin ndonjë beneficion”, thotë ajo.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës merret edhe me të paraburgosurit apo burgosurit, e Rushiti thotë se nuk ka torturë klasike ku rrahin, mbahen e izolohen. Ajo thotë se duhet bëhet më shumë sa i përket kategorizimit të të burgosurve, shkollimit të tyre apo edhe aktiviteteve të tyre.

Rushiti thotë se mediat duhet të kenë gazetarë të profilizuar brenda mediumeve që do të merren me viktimat e mbijetuara, të çfarëdo forme.

SHPËRNDAJE