Fotografohen fletushkat e Bidenit, tërheq vëmendjen njëra prej tyre

Në disa fotografi të bëra gjatë konferencës së parë formale për gazetarë të presidentit amerikan, Joe Biden, shihen fletushka të vogla që ai mbante në dorë. Aty ishin edhe gazetarët të cilëve planifikonte t’ua jepte fjalën presidenti.

Në disa fletushka tjera ishin të shkruara disa të dhëna të shkurtra, por kjo nuk ndikoi që kreu i Shtëpisë së Bardhë të mos bënte gabime.

Në njërën nga fletushkat ishin të shkruara disa të dhëna për infrastrukturën, por presidenti u detyrua ta përmirësonte veten, pasi deklaroi gabimisht se ShBA-ja radhitet e 85-ta në botë për infrastrukturën më të zhvilluar.

Në këtë fletushkë kishte të dhëna për infrastrukturën e ShBA-së.

Shkrimi në fletushkë ishte: “Shtetet e Bashkuara tani radhiten në vendin e trembëdhjetë në botë për cilësinë e infrastrukturës, duke rënë nga vendi i pestë ku ishin më 2002.”

Paraqitja e tij para gazetarëve të enjten ishte konferenca e parë e këtij lloji që nga ardhja në pushtet më 20 janar të këtij viti. Numri i gazetarëve që morën pjesë ishte i kufizuar në 25, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Një fletushkë me shkrim dore që nuk mund të lexohet lehtë.

Gjatë konferencës që zgjati një orë, ai ua dha mundësinë për të shtruar pyetje vetëm 10 gazetarëve dhe shumë prej tyre u përqendruan në krizën e imigrantëve në kufirin me Meksikën, duke lënë pak kohë për tema të tjera.

Ndonëse Bideni i adresoi raportet me Kinën, ai nuk pati pyetje nga gazetarët rreth hetimeve për prejardhjen e koronavirusit ose ndonjë pyetje tjetër rreth menaxhimit të pandemisë dhe shpërndarjes së vaksinave.