Fox News: Trump po e kërkon paqen mes Kosovës dhe Serbisë

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke punuar për të arritur atë që ajo shpreson të jetë një fitore tjetër në politikën e jashtme – këtë herë duke nxitur udhëheqësit e Serbisë dhe ata të Kosovës që të nënshkruajnë një marrëveshje për paqe në një ceremoni që do të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, raporton Fox News.

Një burim ka konfirmuar për Fox News, media e afërt me numrin një të Amerikës, raportimet në media se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së fundmi ka udhëtuar në Berlin dhe ka takuar atje ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell, me të cilin ka diskutuar për një marrëveshje që do të ulte taksën ndaj mallrave serbe, dhe në përgjithësi do të çonte drejt një zbutjeje të tensioneve.

Fox News shkruan se tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së fundmi janë rritur aq shumë, saqë disa druajnë se mund të shpërthejë një konflikt i armatosur.

“Presidenti Trump i ka dhënë edhe Kosovës, edhe Serbisë, një udhërrëfyes të qartë drejt sigurimit të mbështetjes më të madhe amerikane”, ka thënë një zyrtar amerikan për Fox News.

“Ai dëshiron që ata të dalin me një zgjidhje që do të pranohej nga të dyja palët. Nëse të dy palët pajtohen, ai do ta mbështesë atë. Për dallim prej qëndrimit të Bashkimit Evropian, çdo gjë është në tavolinë për Amerikën”, ka theksuar ai.

SHPËRNDAJE