Francezët bëjnë marrëveshje me Vushtrrinë për prodhim të energjisë së ripërtrishme në Çyçavicë

Në prezencë të ambasadorit francez Didier Chabert, përfaqësuesi i Kompanisë Çyçavica Wind Farm 1 L.L.C, Emil Bakic me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, sot në Vushtrri kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi, për investim të madh në fushën e energjisë së ripërtrishme nga era në Bjeshkët e Çyçavicës në Vushtrri, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Investimin e Kompanisë franceze në fushën e energjisë së ripërtrishme, shefi i diplomacisë franceze në Prishtinë, ambasadori francez Didier Chabert, e ka quajtur lajm të mirë për Vushtrrinë dhe Kosovën, ngase siç tha ai kompania franceze është kompani e madhe dhe shumë serioze në fushën e investimeve në energji të ripërtrishme nga era.

Këtë investim në fushën e energjisë, kryetari i Komunës me rastin e nënshkrimit e ka vlerësuar investimin më të madh në historinë e Vushtrrisë. Ai tha se investimet e kësaj kompanie janë rreth 100 milion Euro dhe se Komuna e Vushtrrisë do të përfitoj rreth 1 përqind të vlerës së fitimit që do ta ketë Kompania, do të ketë bursa studimi për student vushtrrias në fushën e energjisë në Francë si dhe do të ketë investime në të ashtuquajturin turizëm energjikë në malet e Çyçavicës.

Nga ana tjetër, Emil Bakic menaxher për Ballkan i Kompanisë Akou Energy, pjesë e së cilës është projekti Çyçavica Wind Farm 1 L.L.C, tha se ky është një projekt i madh për investim në fushën e energjisë ku pritet prodhim i energjisë së ripërtrishme deri në 100 Mega Wat energji elektrike, nga i cili do të ketë përfitime nga Komuna dhe komuniteti vushtrrias. Bashkëpunimin e mirë që ka gjetur me Komunën e Vushtrrisë si dhe prezencën e vet ambasadorit francez e ka quajtur garancë të mirë të mirë për mbarëvajtjen e këtij investimi në Vushtrri.

Projekti synon të prodhojë rreth 100 MW/h energji elektrike nga era ku në malin e Çycavicës do të vendosen deri në 17 turbina për prodhim të energjisë nga era. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE