Frutat arrorë e zvogëlojnë rrezikun nga sulmi në zemër

Sipas një studimi shkencor, konsumimi i vazhdueshëm i frutave arrorë pa kripë të shtuar, siç janë arrat dhe fëstëkët, e zvogëlon në masë të konsiderueshme rrezikun nga vdekja prej sulmit në zemër.

Shkencëtarët zbuluan se personat që hanë fruta arrorë së paku dy herë në javë kanë 17 për qind më pak gjasa që të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare.

“Frutat arrorë janë burim i mirë i yndyrnave të pangopura dhe përmbajnë pak yndyrna të ngopura”, tha autori i këtij studimi, Dr.Noushin Mohammadifard nga Instituti për Kërkime Kardiovaskulare në Iran.

“Ato gjithashtu përmbajnë proteina, minerale, vitamina, fitosterole dhe polifenole, të cilat i bëjnë mirë shëndetit të zemrës”, shtoi ai.

Ky studim i prezantua të premten gjatë një samiti të kardiologëve botërorë. Në të është analizuar lidhja mes frutave arrorë dhe rrezikut nga sëmundjet e zemrës dhe vdekjet e iranianëve.

Përdorimi i këtij ushqimi dy herë në javë ose më shpesh u tha se e zvogëlon për 17 për qind rrezikun nga sëmundjet e zemrës në krahasim me personat që kanë konsumuar më rrallë fruta arrorë, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

SHPËRNDAJE