FSK akuzohet se është kapur nga politika

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila pritet të marrë kompetenca të ushtrisë po akuzohet se është kapur nga politika.

Këtë akuzë e ka bërë ushtari i kësaj force, Dardan Hetemi, i cili deri sot ka qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një letër lamtumire të publikuar, Hetemi ka shkruar se është i indinjuar me individët që sipas tij, e kanë në grusht shtetin dhe institucionin më të besuar te qytetarët, FSK-në.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, sot shënon ditën e saj, që shënohet edhe si “Dita e Forcës”, unë po në këtë ditë vendosa të largohem nga kjo Forcë duke shpreh indinjatën time të thellë, asnjëherë për FSK-në dhe Atdheun tim Kosovën, por, për individët me të cilët udhëheqin dhe e kanë në grusht këtë shtet, e po ashtu edhe institucionin më të besuar tek qytetaret FSK-në. Edhe në FSK, sikur edhe në çdo institucion tjetër në Kosovë njeriu nuk vlersohet për aftësitë, shkollimin dhe potencialin që posedon, por për lidhjet familjare dhe politike”, ka shkruar Hetemi.

Në këtë letër Hetemi ka shkruar se nuk ka pasur tjetër zgjidhje veçse të largohet nga pozita e ushtarit në FSK, derisa ka shtuar se nuk është i vetmi që ka menduar seriozisht largimin nga ushtria.

“Për ju miq të cilet më njihni e dini se sa vështirë e kam pasur ta marr këtë vendim, por duke mos pasur rrugë tjetër më duhet të tërhiqem dhe t’a vazhdoj jetën larg vendit tim dhe jashtë FSK-ës. Nuk jam i pari, por as i fundit që po largohem nga institucioni më i besuar dhe institucioni më i privilegjuar në vend, ka me dhjetra ndoshta qindra pjestarë që presin të largohen…Pse..? Ky duhet të jetë një shqetësim për krerët e shtetit”, ka shkruar ai.

“Nuk dua të merret si mungesë patriotizmi sepse rrejdhi nga një familje që kesaj toke i ka fal ushtarak te zot që nuk kanë hezituar asnjeherë të i’a kthjenë pushkën armikut deri ne vdekje, dhe nëse ndonjëherë vije prap ajo ditë edhe une do të kthehem për të njëjtin qëllim. Me shpresë se do të vijnë ditë më të mira për shtetin tim unë po largohem , ish kolegeve te mi ju deshirojë shume suksese dhe shpresoj qe t‘ju vlersohet dija dhe angazhimi i tyre”, ka shtuar ai.

“Më vjen shumë keq që nuk mu shpaguan arritjet, shkollimi, angazhimi dhe mbi të gjitha dashuria për ketë uniform. Pergjithmon krenar, i priviligjuar dhe i peruluar perball uniformës dhe Atdheut tim, do t‘a dua dhe ta çmoj ketë uniformë sa t‘kam jetë”, shkruan në letrën e Hetemit.