Fundi i një farse

Gjykata Kushtetuese i dha fund farsës së quajtur Qeveria Hoti, e cila u krijua mbi farsën tjetër të keqpërdorimit të vullnetit qytetar. Është koha që të ndëshkohen me votë të gjithë ata që bëjnë lojëra të ndyta politike “për të mirën e Kosovës”. Ata që program politik e kanë mashtrimin.

Imer Mushkolaj

Një farse i erdhi fundi. Idesë se me qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti gjithçka ishte në rregull. Idesë se Qeveria Hoti mund të vazhdonte “të qeveris” pa shumicën e thjeshtë të votave, thua se gjithçka ishte në rregull. Idesë se kryeneçësia të sjell buzë greminës, pavarësisht se qëllimi mund të jetë i mirë. Ndonëse i tillë nuk ishte në rastin e krijimit të qeverisë, që Gjykata Kushtetuese e çoi në shtëpi.

Nëse kthehemi në gjenezën e problemit, gjejmë se qeveria e re me Hotin në krye u bë e mundur të krijohet nga të gjitha partitë që ishin kundër Lëvizjes Vetëvendoshje, madje edhe nga LDK, me të cilën ishte në koalicion qeveritar. Pra, të gjithë u mblodhën bashkë dhe vendosën ta rrëzojnë Qeverinë Kurti. Natyrisht, si arsye përmendën “interesin e Kosovës”, por arsyeja kryesore ishte interesi i tyre – jo veç partiak, por edhe personal.

Qeveria, e cila nisi punën me premtime të mëdha, përfundoi si mos më keq, duke mos ia dalë të realizojë si duhet as premtime bazike. Qeveria, të cilën LDK e quan më e mira ndonjëherë, në fakt është qeveria më kot që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë vend. Një qeveri më shumë formë se përmbajtje, një qeveri që përpiqej të krijojë imazhin e rrejshëm se po punon fort, ndërkohë që pasojat e mospunës e keqqeverisjes më së shumti i vuajnë tash sa muaj qytetarët. Një qeveri që jep premtime megalomane qindramilionëshe, por përfundon me turp në veprime e vendime qesharake. Një qeveri që u krijua për akomodimin e interesave të të njëjtëve, e kundër atyre që ia rrezikonin dikujt ambiciet politike, të tjerëve madje edhe kalimin e pragut zgjedhor, e dikujt tjetër apetitet për të vazhduar zhvatjen e të mirave publike.

Gjykata Kushtetuese i dha fund dhimbjes që qeverisjes së Hotit dhe, në fakt ai do të duhej të ishte personi më i lumtur në këtë mes. I mbetur pa pikën e fuqisë politike, fuqi që nuk e kishte pasur asnjëherë, por vazhdimisht kishte provuar të ngritet nën sjetullën e Isa Mustafës, si kopje e zbehtë e tij, Hoti ishte një farsë në vetvete.

Tash kur pritet shpallja e zgjedhjeve, pasi subjektet politike në Kuvend më në fund bënë një punë të hajrit, duke e votuar buxhetin për vitin e ardhshëm, është më se e qartë se farsat si kjo e quajtur Qeveria Hoti – që nuk ishte vullnet i qytetarëve, por përdhosje me dhunë e votës së tyre – nuk duhet dhe nuk do të ndodhin më. Duhet të jetë kjo farsa e fundit, në mesin e të shumtave në politikën kosovare. Çdo eksperiment i ngjashëm është i destinuar të dështojë.

* * *

Një farse i erdhi fundi, por edhe një tjetre duhet dhe pritet t’i vijë urgjentisht. Është farsa e LDK’së dhe e Isa Mustafës. Që nga viti 2010, kur erdhi në krye të partisë, ai humbi çdo palë zgjedhje të mundshme, lokale e nacionale. Ndërkaq, në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale, ai duke qëndruar në krye të partisë, pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme, nxori kandidatë për kryeministër Avdullah Hotin e Vjosa Osmanin. Më 2017, Hoti nuk ia doli të fitojë, e më 2019 Osmani ia doli që LDK’në ta radhit me një deputet më pak në Kuvend se partia fituese.

Por Mustafa, si farsist i njohur, votat i mblodhi me Osmanin dhe me premtimin për koalicion me Vetëvendosjen, por vullnetin e votuesve e tjetërsoi, duke i rikthyer në pushtet Nismën e AAK’në dhe duke e bërë Listën Serbe sërish parti determinuese në vendimmarrje institucionale.

Kështu kishte vepruar edhe më herët, kur mblidhte vota me premtimin se nuk do të bënte “kurrë më” koalicion me SHIK’un e PDK’në dhe përfundonte “në shtrat” me ta. I akuzonte për vrasje e krime të tjera, por votën e LDK’së e shfrytëzonte t’ua zgjaste pushtetin e privilegjet.

Mund të ndodh që edhe kësaj radhe Mustafa të provojë të njëjtën gjë. Pavarësisht se mbështetja për Vetëvendosjen është më e madhe se asnjëherë më parë, e për LDK’në, sipas sondazheve, më e vogla ndonjëherë, nuk përjashtohet mundësia që ai të nxjerr një emër të ri fasadë për të mbledhur vota.

Pas asaj që ka ndodhur gjatë këtij viti, pas akrobacioneve me autor Mustafën dhe të tjerët, edhe votuesit e LDK’së duket ta kenë mësuar hilenë, andaj në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë si më parë. Ky do të jetë një mësim i mirë për Mustafën dhe të tjerët rreth tij. Njëri nga ata, Agim Veliu, tashmë është ndëshkuar rëndë nga qytetarët. Edhe pse ende mund të thotë se “as shejë s’ia ka lanë”, megjithatë plaga është e thellë.