“Fushë-Kosova” synon të lë gjurmë në gjimnastikë (Foto)

Klubi i Gjimnastikës “Fushë-Kosova” ka pasur një zhvillim të mirë, duke bërë që brenda tre vjetësh ky sport të bëhet edhe më i dashur për fëmijët e qytetit të Fushë-Kosovës. Rezultatet nuk po i mungojnë, kurse në të ardhmen ato pritet të jenë edhe më të mëdha

Trajnerja e Klubit të Gjimnastikës “Fushë-Kosova”, Sherife Aliçkaj-Qerimi, në një intervistë për “Epokën e re” është shprehur e kënaqur me rritjen e këtij klubi, i cili është themeluar në nëntor të vitit 2015. Ajo ka treguar se rezultatet nuk kanë munguar deri tash, kurse në garën e radhës që mbahet të shtunën, nikoqir i së cilës është Klubi i “Fushë-Kosovës”, synohet të arrihen edhe rezultate të reja. “Në bashkëpunim me Departamentin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Fushë-Kosovës kemi bërë përgatitjet e duhura për organizimin e garave në të cilat do të jemi nikoqirë dhe presim që gjimnastët e klubit tonë të arrijnë të korrin rezultate, pasi jemi përgatitur maksimalisht për këto gara”, ka thënë Aliçkaj-Qerimi

“Epoka e re”: Kur është themeluar Klubi i Gjimnastikës “Fushë-Kosova”?
Aliçkaj-Qerimi: Klubi i “Fushë-Kosova” është themeluar në nëntor të vitit 2015 dhe deri tash ka pasur zhvillim relativisht të mirë. Aktualisht numërojmë mbi 20 nxënës, kurse ky numër pritet të rritet gjatë javëve në vazhdim.

“Epoka e re”: Nga kush është themeluar ky klub dhe si ka lindur ideja për themelimin e një klubi të tillë, pasi gjimnastika në atëkohë nuk ishte edhe aq sport i popullarizuar në Kosovë?
Aliçkaj-Qerimi: Jam profesoreshë e Edukatës Fizike dhe e kam parë që fëmijët janë shumë të interesuar për sportin e gjimnastikës dhe kështu lindi ideja për themelimin e një klubi që më pas vendosem ta quajmë “Fushë-Kosova”. Bashkëthemelues janë edhe dy kolegët e mi, Besnik Latifi dhe Arjeta Jashari. Mund të them se tash, pas tre vjetësh, vendimi për themelimin e këtij klubi ka qenë shumë i rëndësishëm për faktin se fëmijët tanë kanë mundësinë ta zhvillojnë aktivitetin e tyre edhe në sportin e gjimnastikës.

“Epoka e re”: Sa është vështirë të udhëhiqet një klub, kur dihet se mungojnë mjetet financiare?
Aliçkaj-Qerimi: Ka vështirësi por, meqë vullneti nuk mungon, e kemi me lehtë të udhëheqim këtë klub duke e ditur që, në mos më shumë, ndikon konkretisht në zhvillimin e fëmijëve. Prandaj për ne kjo gjë është e rëndësishme dhe na jep kurajë të mos ndalemi për asnjë moment.

“Epoka e re”: Sa i plotësojnë kushtet me vegla të gjimnastikës sallat ku i kryeni përgatitjet?
Aliçkaj-Qerimi: Ka mungesa të shumta të pajisjeve të nevojshme për sportin e gjimnastikës, por me ato që i kemi përpiqemi t’ia dalim disi, pasi sporti i gjimnastikës kërkon sallë me infrastrukturë të posaçme. Me veglat dhe mundësitë që i kemi përpiqemi t’i shfrytëzojmë në maksimum që gjimnastët tanë të jenë sa më të përgatitur.

“Epoka e re”: Po cili është interesimi i të rinjve dhe të rejave të grupmoshave të ndryshme për t’u marrë me këtë sport?
Aliçkaj-Qerimi: Interesimi është i kënaqshëm. Ka shumë të interesuar për këtë sport, por mundësitë janë shumë të kufizuara sepse hapësirat që i kemi për këtë sport nuk po na lejojnë ta rrisim numrin e gjimnastëve. Për momentin kemi mbi 20 gjimnastë të moshave të reja, por në ndërkohë do ta rrisim numrin sepse kërkesat janë të shumta dhe shpresojmë të pajisemi me elemente gjimnastikore.

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi me Federatën e Gjimnastikës dhe a keni përkrahje të saj?
Aliçkaj-Qerimi: Për momentin Federata e Gjimnastikës na mbështet vetëm moralisht dhe në organizimin e garave që mbahen herë pas here. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi më shumë përkrahje nga federata dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi për t’i përgatitur gjimnastët, duhen kushte më të mira në infrastrukturë dhe financiare.

“Epoka e re”: Vitet e fundit kanë filluar të shpeshtohen garat në gjimnastikë. Sa jeni të kënaqur me mbarëvajtjen e këtyre garave dhe rezultatet e garuesve tuaj?
Aliçkaj-Qerimi: Duke marrë parasysh se klubi ynë është i ri dhe vështirësitë në infrastrukturë që i kemi, mund të them se jemi shumë të kënaqur me arritjet e gjimnastëve tanë në garat e organizuara, në të cilat kemi fituar disa medalje. Në  të ardhmen presim të marrim medalje dhe t’i rrisim sukseset në garat ku marrim pjesë.

“Epoka e re”: Më 21 prill jeni nikoqir i garave të organizuara nga klubi juaj dhe FGjK-ja. Sa jeni përgatitur për këto gara dhe a pritni të merrni medalje?
Aliçkaj-Qerimi: Në bashkëpunim me Departamentin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Fushë-Kosovës kemi bërë përgatitjet e duhura për organizimin e garave në të cilat do të jemi nikoqirë dhe presim që gjimnastët e klubit tonë të arrijnë të korrin rezultate, pasi jemi përgatitur maksimalisht për këto gara.

SHPËRNDAJE