Futbolli 1 – 0 Politika: S’ka Interpol, ka ëndërr për Euro 2020

Kosova sot mori dy lajme, një të mirë që vjen nga sporti dhe një të keq që si zakonisht vjen nga politika


Kosova dështoi të anëtarsohej në Interpol pavarësisht optimizmit të madh që liderët shtetërorë kishin ditëve të fundit, raporton GazetaMetro.

E në ditën kur politika dështoi për të satën herë, është sporti që na bën të ndjehemi krenarë me këtë shtet.

Kombëtarja e Kosovës në futboll mposhti Azerbajxhanin në kuadër të Ligës së Kombëve në stadiumin Fadil Vokrri me rezultat 4-0 dhe siguroi vendin e parë në Grupin e 3-të të Ligës D.

Kosova tani ka siguruar fazën e play-offit ku në mars të vitit 2020 do të përballet me Maqedoninë në gjysmëfinale dhe në rast të fitores në finale do të takohej me fituesin e ndeshjes Gjeorgji-Bjellorusi. Me një fitore eventuale në finale, Kosova do ta shkruante historinë duke u kualifikuar për Kampionatin Evropian që do të mbahet më 2020.

Kombëtarja e Kosovës e pranuar vetëm dy vite më parë në FIFA dhe UEFA shënoi një sukses të madh sonte duke përfunduar në vendin e parë në grupin e saj dhe tani futbollistët tanë na bëjnë që të ëndërrojmë edhe për Euro 2020.

Në anën tjetër politikanët tanë pas dështimit në Interpol, ‘nuk po ndalen’ së lobuari për liberalizimin e vizave, premtim ky i bërë saktësisht që nga viti 2010, derisa sipas tyre ‘brenda 90 ditëve’ pritet që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm pa viza në zonën Schengen. /GazetaMetro/

SHPËRNDAJE