Gazetarë, a argatë?

Me më shumë formë se përmbajtje, me struktura drejtuese të shkëputura nga baza, organizata e gazetarëve të Kosovës nuk është e pranishme atje ku më së shumti ka nevojë – nëpër redaksitë dhe në mbrojtje të gazetarëve nga arbitrariteti i botuesve dhe i pronarëve të mediave

Shkruan: Dush Gashi

Në redaksinë e fundit, në të cilën kam punuar si punëtor i rregullt, kanë ditur të më thërrasin e të më thonë: “Eja sot në mbledhjen e Kuvendit të shoqatës së gazetarëve, që të jemi më shumë, të kalojnë kandidatët tanë,  e pastaj marrim më shumë shpërblime”.

Po pritni pak, së pari kjo është ftesë për të marrë pjesë një do zgjedhje jodemokratike; e dyta, dhënia e shpërblimeve do të duhej të jetë ndoshta çështja e fundit me të cilën preokupohet një shoqatë e gazetarëve.

Por, një qasje i tillë, për fat të keq ka mbështetje në Statutin e AGK-së (Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës), sipas të cilit në Kuvendin e organizatës duhet të marrin pjesë gjysma e anëtarëve të tij.

Të metat e një zgjidhjeje

Nuk ka nevojë për ndonjë analizë më të thellë për t’i vërejtur të metat e mëdha të kësaj zgjidhjeje. Një Kuvend i tillë në këtë kohë, kur numri i gazetarëve është i madh, do të thotë një tubim – pa hiperbolë – në një sallë sportesh të mbushur bukur mirë dhe me atmosferë po ashtu bukur sportive, pastaj përfaqësim jo proporcional të mediave të mëdha e të vogla dhe, në aspektin territorial – të kryeqendrës me periferinë. Me një fjalë, një Kuvend të tillë mund ta dominojnë mediat më të mëdha, sidomos ato, të cilat në momentin vendimtar do të  kenë ndonjë motiv të veçantë për të thirrur më zëshëm “vraponi o burra”. Se me çfarë serioziteti mund të debatohet për raportet e punës, dokumentet e për kandidatët në një atmosferë të tillë tifozërie mund të merret me mend. Hiq dështimin e shpeshtë për t’u tubuar në numër të mjaftueshëm, ndoshta aspekti më bizar është se ky mund të jetë Kuvendi i vetëm, pjesëmarrësit e të cilit mund të dihen vetëm pasi të kenë hyrë në sallë!

Ç’ është më e keqja, organizimi i tillë ad hoc tregon atë më të dhimbshmen – mungesën e organizimit nga baza, përkatësisht të degëve të shoqatës nëpër redaksi të mediave, të cilat pastaj, në bazë të numrit të gazetarëve në to, do të zgjidhnin edhe përfaqësuesit e tyre për Kuvendin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Përndryshe, me formën ekzistuese, Asociacioni ka më shumë formë se përmbajtje – struktura drejtuese mbesin të shkëputura nga baza, ndërsa zëri i gazetarëve në mbrojtje të prestigjit dhe dinjitetit të profesionit dhe të pozitës së tyre materiale dëgjohet më së paku atje ku më së shumti ka nevojë – në mjediset e tyre të punës së përditshme dhe në mbrojtje nga arbitrariteti i botuesve dhe i pronarëve të mediave.  Madje, ndoshta pos RTK-së, nëpër mediat tona fare nuk ka organizim sindikal, ndërsa është pakuptueshme që shoqata të mos ketë edhe një fond për ndihmë sociale e materiale, për t’i mbrojtur sado pak kolegët e tyre, të cilët ndodh që padrejtësisht ta humbasin punën.

Media a gazetaria e privatizuar?

Deri sa në shtetin e kapur të Kosovës, më sistemin jo efikas të drejtësisë,  gazetarët, pos ndonjë reagimi “të ashpër” të asociacionit vendës apo organizatave të ndryshme ndërkombëtare,  nuk mund të presin ndonjë mbrojtje më të madhe, me organizimin e tyre nëpër redaksi ata së paku do të mund të siguronin njëfarë rezistence ndaj pronarëve të tyre, të cilët ua nxijnë jetën përditë. Sipas rregullit, në mediat tona private ndasia është me vijë të prerë – në njërën anë janë kryeredaktorët e redaktorët, të cilët pak a shumë mbrojnë qëndrimet e pronarëve, ndërsa në anën tjetër gazetarët e pa organizuar, të veçuar e të frikësuar, të cilët më shumë ndjehen si argatë, se sa si punëtorë të përgjegjshëm publikë e me integritet profesional. Kam dëshmitarë të gjallë se u thonë “çepoia këtij” apo “mos e nguc këtë”, madje edhe për heqjen e teksteve të tyre pasi të jetë faqosur gazeta, ndërsa nuk e kanë problem edhe t’i dëbojnë nga puna pa u lodhur fort për procedurat. Në realitetin kosovar, ta kesh në pronë një medie gati se nënkupton edhe ta privatizosh edhe gazetarinë, ndërsa është thuaja se e panjohur se gazetarit askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë të punojë jashtë kodeksit të nderit të profesionit. Këto i kanë vërejtur edhe “Reporterët pa Kufij”, të cilët kanë konstatuar se mediat kosovare nuk gëzojnë liri të plotë, ndërsa, pos ndikimeve direkte e indirekte politike dhe presionit financiar, numëruan edhe varësinë nga pronarët.

Një aspekt tjetër për të cilin do të duhej të dëgjohej zëri i gazetarëve, është pranimi me konkurs publik i gazetarëve, pa kufizimin se “vetëm kandidatët e përzgjedhur do të ftohen në intervistë”. Në këtë mënyrë, gazetarët do të merren në punë jo në baza të nepotizmit e të dëgjueshmërisë, por të profesionalizimit e të integritetit, të cilët pastaj do të angazhohen dhe do të mbrojnë standardet profesionale dhe parimet etike të profesionit të tyre, si dhe çmimin e punës së tyre, i cili tashmë, sidomos pas mizërisë së pashembullt të portaleve, ka rënë në mënyrë përçmuese.  Por, vargu i gjërave të cilat duhet të rregullohen nuk përfundon me kaq.

Ne sot i kemi sytë e kthyer nga pushtetarët dhe të bërat e të pabërat e tyre. Por do ta besoni se gjendja në Kosovë do të fillonte të përmirësohej sikur gjendja të fillonte të merrte për sëmbari edhe në segmente të veçanta të veprimtarive publike. Në mesin e tyre, madje ndër më të rëndësishmit, sigurisht se është edhe gazetaria./Dialogplus/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE