Gecaj: Nuk është gabim që të rrëzohet qeveria “Haradinaj” me votat e Listës Serbe, do negocioja me ta pa hezitim!

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka reaguar lidhur me raportimin e disa mediave për takimin e tij me përfaqësues të Listës Serbe, duke sqaruar se ka qenë takim rasti dhe se nuk ka diskutuar për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

Megjithatë, Gecaj nuk e sheh si jo të duhur bashkëpunimin me Listën Serbe për rrëzimin e kësaj qeverie.

“Sa për informimin korrekt të opinionit publik, edhe pse unë sot nuk kam negociuar me askënd, megjithatë, mendimi im personal, i cili shkon ndesh edhe me disa zyrtarë të partisë sime, është se nuk ka asgjë të keqe po të rrëzohej kjo qeveri e mbrapsht edhe me votat e deputetëve të Republikës së Kosovës nga Lista Serbe; vetëm se kjo duhet të bëhet pa kushtëzime! Qeveria Mustafa ishte rrëzuar edhe me votat e Listës Serbe, Qeveria Haradinaj ishte formuar kryekëput me votat e Listës Serbe, dhe secila qeveri e ardhme do të ketë Listën Serbe brenda saj, nëse paraprakisht nuk e ndërrojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gecaj.

Ai tha se do të diskutonte me Listën Serbe, nëse i kërkohet nga partia e tij pa hezituar fare.

“Po të më kërkonte partia të negocioj me përfaqësues të Listës Serbe, do ta bëja atë pa asnjë hezitim sepse nuk kam çfarë të fsheh dhe nuk kam asnjë brejtje ndërgjegjeje, sepse historiku im, dhe i familjes sime në përgjithësi , është i pastër si loti. Pra, nuk do të isha “sekser”, siç më etiketuan sot mediat e papërgjegjshme, por negociator me kredenciale praktike, akademike e profesionale”, u shpreh Gecaj.

Ndërkaq duke e sqaruar takimin e rastit me deputetë nga radhët e Listës Serbe, ai tha se kishin lëvizur së bashku në distancë prej 100 metrash, pa hapur ndonjë temë diskutimi.

“Sot kisha një takim pune me një ndërkombëtar të rëndësishëm në restorantin “Le Bouchon”, i cili gjendet shumë afër ndërtesës kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Takimin e përfundova diku pak pas mesditës. Në dalje të restorantit takova deputetët e Republikës së Kosovës nga Lista Serbe, të cilët sapo kishin dalë nga oborri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, qeveri të cilën thuhet se e bojkotojnë.

Natyrisht që i përshëndeta, dhe pasi shkonim në drejtimin e njëjtë, ata me mua (apo unë me ata) ecëm së bashku për një distancë jo më të madhe se njëqind metra, deri tek kthesa e parë. Shkrimi i sotëm tendencioz tregon qartazi se në Kosovë, përpos politikanëve dhe zyrtarëve shtetëror, ka probleme serioze edhe me segmentet tjera të shoqërisë sonë, shumë nga të cilët janë bërë servil apo mercenarë klasik të politikës ditore.

Media dhe shoqëria civile janë shtylla shumë të rëndësishme të secilës shoqëri demokratike, duke ndikuar në korrigjimin dhe balancimin e shtyllave tjera të shtetit demokratik dhe shoqërisë ku sundon rendi e ligji. Prandaj, edhe shoqëria dhe shteti ynë, jo që nuk po ecën para, jo që ka stagnuar tërësisht, por, fatkeqësisht, kemi një kthim të rrezikshëm prapa, drejt një shoqërie autokratike ku secila pore kontrollohet nga krimi e kriminelët”, ka deklaruar ai.

Tutje, ky anëtar i LDK-së i bërë ftesë të gjithë deputetëve, në veçanti atyre të opozitës, që këtë qeveri ta dërgojmë në harresë sa më parë që është e mundur./Gazeta Blic/

SHPËRNDAJE