“Gjashtë vjet të çorodisë politike në Kosovës”

Në gjashtë vitet e kaluara, kemi pasë tri përbërje të Parlamentit të Kosovës, dhe katër Qeveri të vendit. Dhe kemi pasë vazhdimësi të mungesës së normalitetit politik.

Shkruan: Blerim Shala

Asnjëherë më parë në Kosovë nuk është folur më shumë për normalitetin.

Natyrisht, në Kosovë, si dhe në gjithë Botën e lume, ‘Kodi i normalitetit’, prej fundit të dimrit e tutje, përkon me tejkalimin e Pandemisë së Covid-19. Pastaj, ky normalitet, në këtë dimensionin që ndërlidhet me këtë sëmundje dhe të gjitha çrregullimet (marramendëse), të cilat ajo na i shkaktoi, është fare i thjeshtë, nuk ka farë pretendimesh të mëdha, as synime të veçanta. Këtu, normaliteti ka të bëjë me lirinë e frymëmarrjes (të mos sëmuresh prej këtij virusi që në variantin më të keq të le pa frymë dhe të mbytë), me lirinë e ecjes në qytet, me lirinë e uljes në restorante dhe kafene, në instancë të fundit, me lirinë e bërjes së një jete të zakonshme.

Normaliteti që përkon pra me çlirimin (eventual), nga Covid-19, në esencë, definohet si kthimi në atë Gjendjen Zero, para se të na mbërthente dhe ngulfate kjo sëmundje.

Kaq e thjeshtë është puna. Dhe kaq e paarritshme është. Në rrethanat e tanishme. Në Kosovë, por edhe në gjithë Botën.

Megjithatë, ka të ngjarë që ky normalitet do të ri-kthehet dhe do të ri-bëhet, diku në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, sepse pritet që më së voni deri në fund të këtij viti do të gjendet vaksina e sigurt në Botë.

Pra, në këtë variantin pak a shumë realist, Bota do të shënojë diku 16 deri 18 muaj të një çrregullimi të madh, të gjithanshëm dhe të gjithfarshëm, pasojat e të cilit objektivisht, do të shtrihen për vite të tëra, në mos edhe në decenia.

Kosova si shtet, pos kësaj përmbysjeje që kishte karakter planetar (nuk kemi pasur si t’i shmangemi dot, edhe po ta kishim Angela Merkelin si Kryeministre), ka edhe çrregullime të ’prodhimit vendor’, të cilat mbi të gjitha karakterizojnë politikën e vendit. Për këtë shkak, teksa lënia prapa e sprovës së madhe të Covid-19, dhe kthimi në një normalitet bazik, është mësymje e gjithë neve, duket që një gjë e tillë nuk thuhet apo nuk synohet kur flitet për politikën kosovare.

Në të vërtetë, asgjë normale në këtë politikën kosovare nuk ka për vite të tëra. Por pakkush, së paku në vetë skenën politike të vendit, e pranon këtë realitet.

Çrregullimi dhe çorodia e vazhdueshme është ky ’Normaliteti politik’ në Kosovë.

Nga pikëshikimi i thjeshtë kalendarik, duket që 8 qershori i vitit 2014 (pra, tash e gjashtë vjet më parë), ka qenë dita e mbramë e normalitetit politik në Kosovë.

Atë ditë janë mbajtë zgjedhjet e dyta parlamentare në shtetin e Kosovës.

Kanë qenë zgjedhjet e organizuara shumë mirë, me rezultatet të cilat të nesërmen i patën pranuar të gjithë liderët dhe subjektet e tyre politike në vend të cilat morën pjesë në këto zgjedhje.

Prej verës së atij viti e deri më sot, politika kosovare është karakterizuar me probleme të shumta kur bëhet fjalë për një funksionim themelor të saj, në këtë aspektin e pasjes së një Kuvendi të mirëfilltë dhe të një Qeverie të njëmendtë.

Për këto gjashtë vjet të plota (e pak më shumë), janë shënuar vetëm dy arritje apo dy suksese në politikën kosovare: Marrëveshja e Stabilizim/ Asociimit me BE-në (SAA), dhe fillimi i transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.

As MSA-ja nuk do të ndodhte, në vitin 2016, pa insistimin këmbëngulës të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së (Zonjës Mogherini), ndërsa dihet botërisht që lansimi i ndërmarrjes së transformimit të FSK-në në Armatën e Kosovës, në dhjetorin e vitit 2018, është arritur falë intervenimit të drejtpërdrejtë të Administratës Amerikane.

Asgjë tjetër nuk kemi bërë në gjashtë vitet e mbrama që vlenë të veçohet këtu.

Përkundrazi. Pos që kemi mbajtë, edhe në vitet 2017 dhe 2019, zgjedhjet të lira dhe demokratike, ne asnjëherë, prej verës së vitit 2014 e tutje, nuk i jemi kthyer një normaliteti politik, i cili edhe në atë variantin që ka qenë në fuqi, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës (në shkurtin e vitit 2008), e deri atëherë (në qershorin e vitit 2014), linte shumë për të dëshiruar. Por ja që sot, ajo periudhë duket shumë më ndryshe, se sa kjo e dyta, e këtij gjashtëvjetorit të fundit.

Në gjashtë vitet e kaluara, kemi pasë tri përbërje të Parlamentit të Kosovës, dhe katër Qeveri të vendit.

Jeta parlamentare në vend, që prej atij legjislacioni të vitit 2014 e tutje, njeh një degradim të vazhdueshëm, i cili pos tjerash, pati përfshirë shndërrimin e sallës së Kuvendit, dhe të gjithë ndërtesës së tij, në një fushëbetejë të mbushur tym dhe gaz lotësjellësi, e cila asnjëherë nuk u sanksionua si duhet, duke lënë kështu mundësinë për ri-kthimin e atyre skenave të turpshme në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës që prej atëherë e sot, me përjashtime shumë të rralla (të cilat mund të numërohen me gishtat e një dore), është bërë vend i debateve të kota, i përplasjeve të gjithëllojshme, i nismave më të mbrapshta, pastaj, është bërë edhe sallë e ligjeratave historike, e përkujtimeve të ndryshme, e zëvëndësimit të atyre sallave të gjykatave, etj.etj.

Në anën tjetër, në tri Qeveritë e fundit të Kosovës (në tri vitet e mbrama), është shënuar një dukuri që është shumë e veçantë këndejpari, pra, është e pashoqe nëse krahasohet me secilin shtet në Ballkanin Perlndimor, e lëre më diku tjetër në Evropë.

Kudo, në demokracinë parlamentare, pasi që të kryhen zgjedhjet e përgjithshme, siç e do rendi (kushtetues dhe politik), krijohet Qeveria e shumicës parlamentare dhe opozita parlamentare. Dihet mirë se kush çka përfaqëson në një skenë politike Qeveria dhe çka opozita. Janë do ’rregulla të lojës’ të cilat dihen shumë mirë, kudo që ka demokraci parlamentare. Pos tek ne. Së paku në këto tri Qeveritë e fundit.

Brenda tri Qeverive të fundit, ka pasë realisht, edhe pushtet, edhe opozitë (madje më shumë se në atë opozitën parlamentare), madje, deri në kundërshtime të mëdha, deri në përplasje publike, të cilat natyrisht që kanë pasë si pasojë paralizimin e plotë në funksionimin e Qeverisë, në një variant, apo edhe pamundësimin e marrjes së vendimeve të duhura, për të cilat zatën bëhet një Qeveri, në atë variantin tjetër.

Nuk ka kund pra, as në këto anë të Ballkanit dhe as në Evropë, një situatë të këtillë, e cila është në pushtet edhe sot e kësaj dite, duke e ç’pushtetuar Kosovën si shtet.

Kur bëhet fjalë (nëse këtu në fund i kthehemi fillimit të këtij shkrimi), për Covid-19, edhe pse ende ka shumë të panjohura në ballafaqimin me te, mund të ketë parashikime pak a shumë të sakta se kur dhe çka pritet të ndodhë vitin e ardhshëm në tejkalimin e tij, apo në kthimin në normalitet. Ndërsa, kur flitet për politikën kosovare, mbase, kush i gjallë këndejpari nuk do ta merrte guximin të parashikojë se kur dhe si kjo politikë do të kthehet në normalitet.

Diçka e tillë nga pikëshikimi i sotëm është sferë e fantastikës shkencore.

SHPËRNDAJE