Gjermanët, investitorët e parë në Zonën e Lirë të Vushtrrisë

Për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, e cila tashmë është licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, janë të interesuar investitorët gjermanë.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili ditëve të fundit është përballur me kritika për shkak se ka lejuar të rrënohet një pjesë e objektit të qendrës së kulturës “Hasan Prishtina”, ka thënë se disa kompani gjermane, si dhe diaspora shqiptare në Gjermani janë investitorët potencialë në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Janë disa kompani gjermane, si dhe diaspora shqiptare në Gjermani që kanë krijuar një biznes në Kosovë dhe në këtë mënyrë janë të interesuar të investojnë në Lumadh.

Unë kam pasur një takim me përfaqësuesit e tyre dhe ata kanë prezantuar profilin e kompanisë gjermane, produktet dhe tregun e kësaj kompanie, si dhe interesimin që kjo kompani të vendoset në Zonën e Lirë Ekonomike që po krijohet në Lumadh të Vushtrrisë”, tha kryetari Tahiri, duke qenë i sigurt se Zona Ekonomike në Lumadh po zgjon interesim të madh te kompanitë e ndryshme vendore e ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Parandalohet arratisja nga burgu e Bedri Krasniqit

Ai tha se i ka njoftuar ata me punët e deritashme në ndërtimin e ZLE-së, për licencimin e saj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe për interesimin e shumë investitorëve të jashtëm dhe vendorë për të investuar në këtë zonë.

SHPËRNDAJE