Gjermania ndalon orët e fëmijëve, po i përgjojnë edhe mësuesit

Rregullatori i telekomunikacioneve të Gjermanisë u ka kërkuar prindërve të shkatërrojnë pajisjet, të cilat janë përdorur për të dëgjuar mësimet në klasë. Rregullatori ka ndaluar shitjen e “orëve të mençura” që mund të përdoren nga prindërit për të kontrolluar fëmijët e tyre, duke thënë se pajisjet kanë shkelur ligjet strikte të mbikëqyrjes në Gjermani.

Ata u kanë kërkuar prindërve që të shkatërrojnë orët, të cilat janë gjerësisht të disponueshme në tregun gjerman dhe targetojnë fëmijët ndërmjet moshës 5 dhe 12 vjeç, transmeton Gazeta Express.

Jochen Homann, president i agjencisë tha se përveç nxënesve po përgjohen edhe mësuesit.

“Hetimi ynë ka treguar gjithashtu se prindërit kanë përdorur orët për të dëgjuar mësuesit në klasë.”

Veprimet e agjencisë pasqyrojnë shqetësimet në rritje rreth rreziqeve të sigurisë dhe privatësisë.

Duke programuar orët për të thirrur një numër telefoni, ato mund të përdoren për të dëgjuar fshehurazi biseda, një veprim që është i ndaluar sipas ligjit gjerman, tha agjencia.

 

SHPËRNDAJE