Gjithçka që dihet deri tash për vrasjen e Albert Krasniqit nga babai i tij

Një vrasje ka ndodhur sot në kryeqytet. Skender Krasniqi dyshohet se ka vra djalin e tij, sipërmarrësin Albert Krasniqi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Ndue Perlleshi”, në Prishtinë.

Babai i viktimës, aktualisht i arrestuar, është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

“Ejani se e vrava djalin”, kështu e ka denoncuar rastin babai i Albert Krasniqit, raporton Reporteri.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Aktualisht jemi në fazen  fillestare të ndërmarrjes se veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit të vendngjarjes në funksion të ndriçimit të plotë të këtij rasti​”, konfirmon policia

Dyshohet se viktima ka pasur probleme familjare dhe ka kërcënuar që disa ditë familjarët e tij për t’ia plotësuar kushtet që kërkonte, mëson IndeksOnline. Babai pasi e ka kryer aktin ka njoftuar vetë policinë.

Albert Krasniqi ishte i martuar me ish-missin e Kosovës Besa Gashi, ndërsa së fundmi ata i dhanë fund martesës së tyre, pasi kishin pasur kriza edhe në të kaluarën.

Nga martesa e tyre ata kanë edhe një vajzë.

Ndërsa, para 7 orësh i ndjeri e kishte postuar një fotografi të vajzës së tij, në mbishkrimin e së cilës shkroi “dashuria e babit”.

Krasniqi ishte i përfshirë në plagosjen e reperit nga Shqipëria Noizy në qendër të Prishtinës.

Plagosja kishte ndodhur më 13 shtator të vitit 2016 .

Rigels Rajku i njohur si Noizy është dënuar me dy mijë euro gjobë për incidentin ku ai mbeti i plagosur.

Ndërsa, Albert Krasnqi ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyejë me para.

Vendimi i gjykatës e ngarkonte Krasniqin edhe me një dënim shtesë prej 8 mijë eurosh për veprat e tjera në aktakuzë.

Shpallja e gjykimit është bërë në një seancë ku dy të akuzuarit nuk kanë marrë pjesë.