Gjuriq përfshihet në debatin e Pacollit se vajzat serbe u përdorën kundër Kosovës në INTERPOL

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur rreth deklaratave të Behgjet Pacollit për vajzat serbe me zarfe, të cilat lobuan kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovë në INTERPOL.

Gjuriq ka thënë se kur ka dëgjuar një përfaqësues të Kosovës duke folur në atë mënyrë, ka mbetur pa fjalë.

“Kam mbetur pa fjalë, keqtrajtimi i grave dhe njerëzve në atë mënyrë është i papranueshëm për komunikimin publik”, ka thënë Gjuriq, shkruan ‘Telegraf’, transmeton Gazeta Express.

“Kjo tregon se atyre u duhet një kohë e gjatë për të ecur përpara me seriozitetin në komunikim, si në skenën vendore po ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Imagjinoni nëse dikush nga Serbia ta kishte bërë atë deklaratë të pakuptimtë, ai do të ishte lajmi kryesor në CNN dhe BBC apo në ndonjë medium tjetër”, ka shtuar tutje politikani serb.

Gjuriq ka folur edhe për ekipin negociator që ka caktuar Kosova për dialogun me Serbinë në Bruksel, duke thënë se është joserioze që në ekipin negociator janë njerëz të cilët kanë qenë pjesëtarë të luftës, duke aluduar në Fatmir Limajn. /GazetaExpress/