Gjuriq po planifikon të futet nesër ilegalisht në Kosovë, MPJ paralajmëron se do të arrestohet

Drejtorit i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për nesër në ora 10:00 ka planifikuar të hyj në Kosovë, por lejen për hyrje ia ka refuzuar Ministria e Punëve të Jashtme e drejtuar nga Behgjet Pacolli.

Për shkak të ndalesës që i është bërë nga MPJ-ja, burime të portalit Veriu.info bëjnë të ditur se ai po planifikon të futet ilegalisht në Kosovë, për t’iu shmangur policisë kufitare të Kosovës.

Në lidhje me këtë plan të Gjuriqit, Veriu.info ka kontaktuar Jetlir Zyberajn, Shef i Kabinetit dhe Këshilltar i Lartë Politik i ministri Behgjet Pacolli.

Zyberaj ka thënë se institucionet relevante shtetërore do të jenë në dispozicion të zbatimit të ligjit, pavarësisht situatave që mund të krijohen.

“Marko Gjuriq nuk ka leje që nesër të hyj në Kosovë. Organet kompetente do të veprojnë konform ligjit, duke arrestuar secilin person që futet ilegalisht në Kosovë”, ka thënë Zyberaj për Veriu.info.

Ndryshe, Gjuriq pas ndalesës nga MPJ kishte reaguar, duke thënë se askush nuk mund ta ndalë për të shkuar në Mitrovicë. “Do të shkoj t’i drejtohem popullit tim”, kjo është deklaratë e fundit që ka dhënë  drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.