Gjuriq shkel rregullat e vizitës, reagon zyrtari i MPJ-së e quan mbeturinë nacionaliste

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se i kanë dhënë leje për të hyrë në Kosovë, drejtorit të të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq. MPJ-ja, ndërkaq, ka dënuar gjuhën që Gjuriq ka përdorur kur ka folur para qytetarëve serbë të Kosovës.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë, Jetlir Zyberaj, ka konfirmuar se Marko Gjuriq kishte marrë leje për të hyrë në Kosovë.

“Marko Gjuriq ka kërkuar leje konform marrëveshjes së Brukselit për hyrje në Kosovë. Bazuar në këtë marrëveshje, atij i është mundësuar vizita në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq”, tha ai.

Megjithatë, Zyberaj shton se dënojnë deklaratat e tij të cilat janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin i është dhënë leja e vizitës.

“Deklaratat e tilla që janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin i është dhënë leja janë vetëm një tregues i qartë për bashkësinë ndërkombëtare që refuzimi i vizitave të tilla kohë pas kohe është i duhur dhe kjo gjë do të ndodhë në të ardhmen. Partnerët tanë nga BE-ja fare nuk duhet të bëjnë presion në të ardhmen për lejimin e vizitave të një mbeturine nacionaliste serbe sikurse Gjuriq. BE-ja ka dështuar totalisht dhe ne do të rishikojmë këtë raport tonin sa i përket koordinimit. Në shtetin tonë këto gjëra nuk do të tolerohen”, tha Zyberaj.

Gjuriq sot nga Mitrovica ka dhënë disa deklarata kërcënuese drejtuar Albin Kurtit kreut të VV-së.

Gjuriq ka thënë se politikani i vrarë serb, Oliver Ivanoviq, nuk ka qenë kriminel lufte dhe ka thënë se Albin Kurti duhet t’i tërheqë fjalët.

“Oliver Ivanoviqi s’ka qenë kriminel lufte, Ivanoviq ka qenë përfaqësues dhe lider i popullit serb në kohët më të vështira, ka luftuar për interesin e tyre dhe ka bërë sakrificën më të madhe që një njeri mund ta bëjë”, ka thënë Gjuriq, shkruan RTS.

Tutje Gjuriq ka thënë se pret sqarime shtesë nga Kurti për atë deklaratë, pasi, sipas tij, një deklaratë e tillë jo vetëm që është një shpifje për të cilën Ivanoviqi nuk mund të mbrojë veten, por “është edhe kundër gjithë atyre që mbrojnë popullin e tyre në mënyrën më të ndershme”.

Gjuriq sot ka qëndruar në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë sipas agjendës do të realizojë vizita në komunat veriore. /GazetaExpress/

SHPËRNDAJE