Gjysma e profesorëve të UP-së mbesin pa avancim shkaku i dallaverëve në rektorat!

Dështimi i dy konkurseve në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, njëri pas tjetrit për avancimin e profesorëve universitarë si dhe për punësimin e stafit të ri akademik në UP, siç duket po e dërgon këtë të fundit para një kolapsi total.

E këtë dukuri, dekanë dhe profesorë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës, nuk po e shohin ndryshe veç si rezultat i mos njohjes së statutit të universitetit nga ana e menaxhmentit të rektoratit të UP-së.

Bujar Dugolli dekan i Fakultetit Filozofik të UP-së, i tha “Gazeta Blic” se janë tri raste të fakultetit që ai e drejton të cilave menaxhmenti i UP-së nuk iu ka dhënë zgjidhje as në konkursin e dytë, kështu sipas tij duke marrë vendime selektive në avancimin e profesorëve.

“Fakulteti Filozofik ka përmbushur me kohë obligimet që i kemi pasur me shpalljen e konkursit në nëntor të vitit të kaluar dhe më pas menaxhmenti i UP i ka prolonguar dhe në mënyrë selektive ka vendosur disa t’i kalojnë dhe disa të mos i kalojnë, në jemi të lumtur se disa nga stafi ynë i kanë kaluar procedurat, vetëm dy raste kanë pasur mospërputhje për të cilat jemi pajtuar edhe ne, ndërsa tri raste kanë mbetur të themi kushtimisht në ajër pa u proceduar rastet e tyre në senat as për të ju dhënë përgjigje pozitive e as negative, d.m.th. ata i plotësojnë kriteret ligjore sepse janë në përputhje me statutin dhe rekomandimin, por nuk i kanë proceduar”, tha Dugolli.

Probleme të ngjashme, sipas Dgullit janë evidente edhe në fakultete tjera të Universitetit të Prishtinës, kjo pasi që sipas tij menaxhmenti ekzistues i UP-së është treguar lojal në dhënien e autonomisë së UP-së në drejtim të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, e cila drejtohet nga ministri në largim Arsim Bajrami.

“Të njëjtat probleme i kanë po thuajse të gjitha fakultetet, menaxhmenti ekzistues ka treguar një lojalitet të tepruar apo si të them dhënjë autoritare të autonomisë së universitetit në drejtim të ministrisë së arsimit, në rastin konkret në ministrit ekzistues, dhe ndërhyrjet që janë bërë në punën e universitetit në vazhdimësi kanë sjell një paqartësi në aspektin e procedurave”, u shpreh ai,

Dekani i Fakultetit Filozofik, vlerëson se ekziston nevoja edhe për staf të ri akademik, në këtë fakultet, por sipas tij një gjë të tillë po e pengon MASHT-i.

“Ne kemi nevojë të madhe për staf të rijnë ,të cilët kanë përfunduar studimet dhe presin që të ftohen për punë, ne detyrohemi që gjysmën e stafit nga jashtë ta mbulojmë ndërsa stafin e brendshëm nuk kemi mundësi ta angazhojmë dhe ky është një dështim total i menaxhmentit qendror, ministrisë së arsimit që e pengojnë Universitetin e Prishtinës që të rekruton njerëz të rinj”, ka thënë ai.

Situatë e njëjtë është edhe me personelin e administratës, sipas Dugollit ka pasur raste kur personi i administratës është pensionuar dhe i njëjti nuk është zëvendësuar apo edhe raste tjera që siç tha ai ka vdekur personi dhe i njëjti nuk është zëvendësuar në punën e tij.

“Ky është një zhvillim desktruktiv edhe negativ në aspektin e ndërhyrjes së qeverisë në drejtim të punës së universitetit. Kjo ka ndodhur si pasojë e asaj që menaxhmenti është treguar lojal dhe t’i aprovojë politikat të tilla që janë në dëm të universitetit, unë këto i kam kundërshtuar edhe në senat se mendoj se universiteti i Prishtinës ka autonomi në aspektin ligjor dhe politikat e brendshme akademike ka të drejtë t’i aplikojë qoftë të resurset humane pra të stafi dhe nuk duhet t’i vihen kufizime”, tha ky dekan.

E mos menaxhimi i mirë i Universitetit të Prishtinës edhe në aspektin e avancimit të profesorëve dhe hapjen e vendeve të rejave të punës, po i kushton UP-së sipas dekanit Dugolli edhe në zvogëlimin e cilësisë në arsimin universitar.

“Për derisa ballafaqohemi me një situatë të tillë nuk mund të flitet për cilësi në arsim, për cilësi mund të flasim vetëm atëherë kur në bëjmë profesor të mjaftueshëm dhe e koncentrojnë vetëm atë normë prej 6 orëve në fushën e caktuar e jo duke mbyllur derën e universitetit për gjeneratat e reja dhe jo duke lënë derën mbyllur vetëm për profesorë që janë aktualisht dhe gjeneratave të vjetra që presin edhe disa vite deri në pensionim. Për ti mbushur nevojat e universitetit duhen edhe profesorë të rijnë e në nivel të universitetit të paktën duhen edhe 300 mësimdhënës të rinj, vetëm filozofikut i nevojiten të paktën edhe 20 mësimdhënës të rijnë për t’i përmbushur nevojat e për një gjë të tillë neve nuk na lejohet, por edhe kur të na lejohet për një pozitë dy për ato vendosin aq shumë politika burokratike dhe ndërhyrje sa që as ato nuk realizohen”, përfundoi ai.

Në anë tjetër, Mehmet Behluli profesor i asocuar në Fakultetin e Arteve të UP-së, konsideron se burimi i problemit në procedurat të avancimit të profesorëve universitarë dhe hapjen e vendeve të reja të punës për staf akademik, është më i vjetër se sa që shihet.

“Unë mendoj që këtu burimi i problemit është pak më i vjetër se sa sot, procedurat të cilat janë të parapara sipas statutit për emërim avancime, zgjedhje e rizgjedhje, procedura këto që ju takojnë edhe aspekteve kohore, për gjera të ngjashme është bërë edhe shkarkimi i rektorit të kaluar të Universitetit të Prishtinës, pra nuk u bënë avancimet sipas rregulloreve apo dhe statutit”, tha ai.

Behluli, më tej shpjegon se si profesor i Fakultetit të Artëve së bashku me profesorë te tjerë të këtij fakulteti kanë punuar për avancimin e tyre konfirmon një aneks rregulloreje e cila ishte bërë në vitin 2007 gjatë kohës sa në krye të UP-së kishte qenë ish-rektori Enver Hasani, rregullore të cilën ky profesor i artëve thotë ta kenë respektuar që nga ajo kohë e deri një javë më parë kur edhe dështuan të avancoheshin nga konkursi i fundit i rektoratit të UP-së për mungesë të veprave të botuara, fakt ky me të cilin nuk pajtohet aspak profesori Behluli.

“Fakulteti i artëve, vetë fjala art nuk do të thotë shkencë, dhe prej që e mbaj mend unë avancimi i profesorëve të artëve është bërë me punë praktike, pra me punë artistike dhe për ne një ekspozitë në nivel ndërkombëtar çon peshë sa puna një shkencëtari e cila me fjalë të tjera është një far ekuivalence, por për mos të mbetur në ajër çështja se çka është e barasvlershëm e çka jo, ne e kemi aprovuar një rregullore e cila është deri vu prej statutit të UP-së në vitin 2004. Neni 255 statuti të moçëm thotë “senati është i obliguar ta nxjerrë një rregullore ekuivalentimi për fakultetin e artëve”, sepse duhet ta përcaktojë edhe ligji edhe statuti se çka është arti e çka është një vepër shkencore dhe në bazë të asaj rregulloreje të cilën e kemi quajtur rregullorja mbi ekuivalentimin ne kemi punuar. Ndërsa në vitin 2007 është bërë një aneks i kësaj rregulloreje në kohën kur rektor ka qenë Evner Hasani, unë rastësisht kam qenë anëtar i komisionit për çështje akademike dhe gjithë puna jonë është bërë në përputhje me këtë rregullore e cila përkthen apo ri interpreton veprën shkencore dhe atë artistike, pra vepra shkencore mund të jetë botimi në një revistë me im pakt faktor, ndërsa për ne një ekspozitë artistike çon peshë sikurse një vepër shumë e rëndësishme shkencore.

Kurse para një java na thanë se nuk kemi vepra të evidentuara nga komisioni rektoratit, këtë na tha prorektori për çështje mësimore, Naser Sahiti i cili na bëri të ditur se neve na mungojnë vepra të botuara”, tha ai.

Pavarësisht këtij vendimi të menaxhmentit të UP-së, Behluli thotë që së bashku me profesorë tjerë të fakultetit të artëve kanë formuar një grup punues ku së bashku thotë të kenë bërë përpjekje për t’ia sqaruar rektoratit të UP-së se për avancimin e tyre nuk nevojitet vepër e botuar ashtu siç është kërkuar në konkursin e fundit, por vetëm vepër artit, pasi që ai thotë se nuk kanë të bëjnë me shkencën.

“Përpos interpretimit të statutit të UP-së dhe lidhja e tij me rregulloret të cilat i ka aprovuar senati i UP-së, gjithashtu e kemi dokumentuar me fakte se Universiteti i Zagrebit, si dhe universitetet të tjera rajonale dhe evropiane e bëjnë dallimin në mes punës shkencore dhe asaj artistike. Profesorët artist, decidifisht thuhet të kroatet se avancimi në thirrje bëhet në sajë të punëve artistike e jo teoriko-shkencore. E kemi rastin edhe të Sarajevës për shembull në kuadër të menaxhmentit të tyre e kanë edhe prorektorin për arte”, tha Behluli.

Më tej ai ka shtuar se e kupton faktin se menaxhmenti i UP-së nuk e ka ekspertizën e duhur sa i përket fushëveprimit artistik, por kërkon që të ketë bashkëpunim sa i përket interpretimit dhe barazvlerësimit prej shkencës në arte.

Sikurse në Fakultetin Filozofik edhe në këtë të artëve, ky proces i avancimit të profesorëve dhe hapjen e vendeve të reja të punës i cili ka dështuar, sipas Behlulit po e dëmton cilësinë e arsimit.

“Ky proces e dëmton cilësinë e arsimit nëse këta vazhdojnë ta lexojnë keq statutin, në anë tjetër disa kolegë tonë janë të ndjerë edhe të ofenduar sepse e menduan që kur të dalin para studentëve ata do t’i thonë që t’i nuk je avancuar çka po kërkona më shumë prej meje”, përfundoi ai.

Lidhur me këtë problem “Gazeta Blic” ka bërë përpjeke të kontaktojë edhe me Lindita Rugovën, dekane në Fakultetin e Filologjisë, por kontakti më të ka qenë gati i pamundur, pasi që ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Situatë e ngjashme ka qenë edhe me profesorin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Skender Kabashi, por as ai nuk është përgjigjur thirrjeve dhe SMS-ve të redaksisë.

Ndërkohë “Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe me prorektorin për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Naser Sahiti, i cili vlerësimin e kandidatëve për personel akademik thotë të ketë qenë i bazuar në Rekomandimet e Senatit dhe në kriteret e UP-së, të cilat sipas tij kanë ngjallur dilema në disa raste se a përputhen me Statutin e UP-së Rekomandimet e Senatit.

“Në disa raste ka pasur dilema nëse disa prej kritereve të Rekomandimit janë në përputhje me Statutin e UP-së prandaj të njëjtat nuk është arritur të trajtohen deri në fund dhe të nxirret një vendim përkatës në Senat. Kandidatët e ndërlidhur me këto raste do të marrin njoftim zyrtar nga Rektorati gjatë javës së ardhshme”, tha ai.

Prorektorin për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Naser Sahiti
E vonesa e menaxhmentit të UP-së për marrjen e një vendimi qoftë pozitiv apo negativ për avancimin e profesorëve apo për personel të ri akademik, sipas prorektorit Sahiti, ka ardhë shkaku i numrit të madhë të kandidatëve të cilët kanë aplikuar në konkurs.

“Numri i madh e kandidatëve të cilët kanë aplikuar në konkursin e porsapërfunduar (rreth 1000 persona) për personel akademik ka ndikuar edhe në vonesa të procedimit administrativ të kësaj çështje”, tha ai.

Tutje ai, i tha “Gazeta Blic” se aktualisht janë në përfundim të hartimit të vendimeve për kandidatë të cilët kanë aplikuar në këtë konkurs, vendime këto që sipas tij gjatë javës së ardhshme do të bëhen të ditura për të gjithë kandidatët.

Ndryshe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) e cila drejtohet nga Rron Gjinofci, në janar të këtij viti pati deklaruar se rektori i universitetit të Prishtinës Marjan Dema nuk po i mban fjalët, sa i përket kujdesit që patë premtuar se do ta ketë në avancimin e profesorëve.

Gjinofci, iu referua mbledhjes që senati e mbajti më 31 janar ku avancuan kandidatë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ndër të cilët edhe prorektori për mësim, Naser Sahiti, dhe këshilltari i rektorit, Hysen Bytyqi./Gazeta Blic/

SHPËRNDAJE