Gjysmë milioni kot për zgjedhjet në Veri?

Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave me shumicë serbe dhe shpalljes së zgjedhjeve nga Presidenti, rrezikohen gjysmë milioni euro nga buxheti i shtetit pasi kryetarët e njëjtë po kandidojnë prapë dhe kanë premtuar përsëri dorëheqjen.

E për këtë çështje Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje ka premtuar padi në Gjykatën Kushtetuese. Në këto zgjedhje do marrin pjesë edhe dy subjekte politike kosovare, PDK dhe VV. Afati për akreditim të vëzhguesve në këto zgjedhje përfundon me datën 12 maj.

Në nëntorin e vitit të kaluar, komuniteti serb në krye me Goran Rakiq, protestuan në veri të qytetit të Mitrovicës, para objektit të EULEX-it. Arsyeja e protestës ishte vendosja e taksës nga Qeveria Haradinaj. Protestuesit “kërcënuan” me dorëheqje në komunat me shumicë serbe nëse qeveria nuk e heqë taksën. Kjo edhe ndodhi, dorëheqje dhanë, kryetari i Zubin Potokut, kryetari i Leposaviçit, kryetari i Zveçanit dhe kryetari i Mitrovicës Veriore njëherit edhe kreu i listës serbe – Goran Rakiq.

Edhe pse Qeveria e Kosovës i konsideronte të diskutueshme për kah ana ligjore, Presidenti Thaçi shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen me 19 maj.

Ditë më parë, Kreu i Listës serbe – Goran Rakiq, ka thënë se ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme vetëm që shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe.

Fakti që vetëm një subjekt politik nga lista serbe është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, tregon se Lista Serbe është e bashkuar dhe e vendosur që me këto komuna të qeverisin serbët, pasi në mesin e partive të certifikuara kësaj radhe marrin pjesë edhe dy parti kosovare.

E kryetarët e komunave serbe që dhanë dorëheqje, nuk hezituan të përdorin termin “Kosovo Metohije”.

Pikërisht përdorimi i këtij termi ka shtyrë anëtarët e Vetëvendosjes, që të kërkojnë nga Lista Serbe të zëvendësojnë tre nga katër kandidatët për kryetar komunash. Në të kundërtën, ashtu siç tha anëtari i Vetëvendosjes në KQZ – Adnan Rrustemi, çështjen do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese.

Adnan Rrustemi ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht ka folur për Gazetën Express në lidhje me dorëheqjet e mëparshme dhe të ardhshme nëse zgjedhen përsëri kryetarë të komunave, me ç’rast do të shpenzohen kot gjysmë milioni euro nga taksapaguesit e Republikës së Kosovës.

“Dorëheqjet e kryetarëve të mëparshëm, si në arsye, ashtu edhe në përmbajtje e në formë ishin në kundërshtim me rendin kushtetues e republikan, kundër sovranitetit të shtetit dhe e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë dhe i referoheshin si “Kosova dhe Metohija”. E të njëjtit nga Beogradi kishin premtuar se do të marrin pjesë në zgjedhje, por do të tërhiqen sërish dhe kështu do ta vazhdojnë. Ne nuk mund të shpenzojmë miliona euro të taksapaguesve të vendit për procese të cilat nuk duken se kanë për qëllim mundësimin e qeverisjes lokale në këto komuna dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët, por më tepër legjitimim i planeve kundër sovranitetit dhe integritetit shtetëror.” tha ai.

Rrustemi gjithashtu shtoi disa fjalë edhe për Presidentin Thaçi, dhe parashtrimin e një padie administrative duke e konsideruar vendimin e këtyre kandidatëve si të kundërligjshëm.

“Presidenti i vendit në shpalljen e këtyre zgjedhjeve nuk u konsultua me subjektet politike siç kërkohet me Ligjin për Zgjedhje Lokale. Duket që Presidenti më shumë është konsultuar me Listën Serbe, se është koordinuar me Aleksandër Vuçiqin në vend se ta bëjë të kundërtën – të konsultohet me subjektet politike të vendit e të koordinohet me institucionet shtetërore si KQZ e institucionet tjera” shtoi Rrustemi.

“Unë si anëtar i KQZ-së do të parashtrojë padi administrative në Gjykatën themelore, duke e konsideruar vendimin për certifikimin e këtyre kandidatëve si të kundërligjshëm” premtoi Rrustemi.

Në pyetjen se a do të ishte i mundur një koalicion mes PDK-së dhe Vetëvendosjes në veri të vendit që automatikisht do të garonin vetëm serbët kundër shqiptarëve, Rrustemi nuk tha më shumë se; Lëvizja Vetëvendosje është certifikuar si e vetme në këto zgjedhje.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është çertifikuar si e vetme dhe fton të gjithë banorët në këto komuna të votojnë kandidatët tanë të cilët do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim” përfundoi Rrustemi për Gazetën Express.

Sepse, Lëvizja Vetëvendosje nuk është e vetmja parti kosovare e cila është certifikuar në këto zgjedhje. Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në këto zgjedhje gjithashtu.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së – Bastri Musmurati ka folur për Gazetën Express në emër të subjektit që përfaqëson.

“Ne si subjekt politik kemi konkuru për të respektu vendimin e Presidentit Thaçi për shpalljen e zgjedhjeve. E konsiderojmë obligim të marrim pjesë në zgjedhje lokale apo qendrore pa marrë parasysh a mund të fitojmë apo jo. Kandidatët e certifikuar nga Lista Serbe është e padrejtë të kandidojnë përsëri sepse ata tashmë kanë dhënë dorëheqje, por pasi që ligji e lejon, jemi të pafuqishëm” ka thënë Musmurati.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar prezencën e Misionit të OSBE-së në Kosovë për këto zgjedhje. Valmir Elezi – Zëdhënës i KQZ-së ka sqaruar për Gazetën Express, rolin e OSBE-së në këto zgjedhje.

“Roli i misionit të OSBE-së në Kosovë, në këto zgjedhje, do të jetë i ngjashëm me atë të zgjedhjeve lokale 2017. Roli i këtij misioni do të jetë i kufizuar vetëm në: këshilla teknike për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve për Këshillat e Vendvotimit” ka thënë Elezi.

Gjithashtu KQZ njofton se afati për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve për këto zgjedhje përfundon me datën 12 të këtij muaji.

Kujtojmë se me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhorë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjetet financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor në shumën prej 471,484 eurosh, dhe këto zgjedhje mund të përsëriten në momentin që kryetarët e zgjedhur japin përsëri dorëheqje në shenjë proteste për vënjen e taksës.