Gruaja e Blerim Pecit, me fjalë të dhimbshme dhe prekëse e kujton burrin e ndjerë

Para dy javësh ka vdekur aktori mitrovicas Blerim Peci, i cili ishte njëri ndër komikët më të shquar të skenës kosovare, ku viteve të fundit ishte aktual me emisionin “Vikendi”, shkruan Veriu.info.

Të ndjerin përmes një shkrimi në Facebook e ka përkujtuar gruaja e tij, e cila ka treguar se me 22 dhjetor janë bërë 5 vite nga kur ka filluar emisionin “Vikendi” në RTK.

Ja postimi i plotë i Afërdita Sopjani Peci në Facebook:

Përmes artit të dhimbjes për artin e Blerimit, Belit tonë

Të të kujtoj si artist është e vështirë, por me ty bashkëjetuam dhe mbijetuam edhe sfidat artistike, profesionale.

Sot u mbushën plot 5 vite prej kur me 22 Dhjetor 2012, filkove me Emisionin “Vikendi”. Ky Emision nga Beli im të shndërrojë në Belin e Shqiptarisë. Nuk të mori nga Ne, por ishe i më shumë njerëzve, shpesh më shumë i publikut se i yni, më shumë i publikut se i familjes, në kontekstin e kohës që ndaje për projektin.

Publiku korrnin vetëm anën e suksesshme, e unë edhe anën e sfidave që përballoje për realizimin e Emisionit.

Tashmë jam pa ty, e vetme po udhëtoj në Kohë, si rubrika jote e Udhëtimit në Kohë, po mbledh kujtimet e fillimit të angazhimit tënd me Vikendin, po mbledh dromca idesh që diskutonim, madje edhe kujtimet e shfaqjes së parë të Emisionit në Radio Televizionin e Kosovës, RTK-së.

Të kërkoj tek storjet, të gjej aty, por zymtësia pllakosë buzëqeshjen duke e prerë në mes.

Edhe Humori yt, tashmë është shndërruar në dhimbje për mua.

Skenat teatrale nuk janë më të njëjta, teatri i jetës hap dyert, shfaqja tragjike e ikjes tënde ngrit përdet e pikëllimit.

Kinemaja e dikurshme, tashmë kinema e përballjes me realitetin për humbjen tënde është bosh, njëjtë si zemra ime pa ty, njejtë si boshlleku që lë në mua, në artin shqiptar.

Një gjë na ngushëllon, vepra jote artistike dhe vepra jote jetësore Bel do të jetojë ndër breza.

Ku frymon arti, do të jesh edhe ti.

Ku flitet shqip do të jesh monument, i skalitur në themelet e artit që aq shumë e doje.

Meqë nuk arrij ta besoj dhe as ta pranoj humbjen tënde dhe të ndjej ende të gjallë mes nesh po të uroj nga zemra “Urime 5 Vjetori i Emisionit Vikendi, Beli im”.