Gruaja e Veselit më e pasura ndër “shoqe”

Violeta, gruaja e kryekuvendarit Kadri Veseli, duket se është më e pasura ndër gratë e liderëve shtetërorë.

Ajo posedon një banesë në vlerë prej 97 mijë eurove.

Ka edhe para të gatshme – mbi 5 mijë euro në dy banka.

Ndërsa merr pagë vjetore nga MASHT prej 3 mijë e 420 euro si dhe pagë vjetore nga Kobit PC mbi 17 mijë e 640 euro.

Në total pasuria e saj kalon mbi 123 mijë euro

E dyta për nga pasuria del të jetë Anita Muçaj, gruaja e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ajo merr rreth 8 mijë euro nga puna që bën në Radio Televizionin e Kosovës dhe 12 mijë euro nga kompania Elsig dhe 12 mijë euro të tjera nga Agjencia e marketingut “Vibe”.

Anita posedon edhe një veturë ne vlerë prej 8 mijë eurove.

Në total sipas deklarimit të pasurisë ajo ka rreth 40 mijë euro, njofton Klan Kosova.

Lumnije Thaçi, grua e Presidentit duket të ketë më pak pasuri – gjithmonë sipas deklarimit që Thaçi ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ajo ka para të gatshme mbi 1 mijë euro dhe një veturë që kap vlerën e 15 mijë eurove.

Ndërsa merr pagë vjetore mbi 19 mijë euro nga Universiteti i Mitrovicës ku edhe ligjëron.

Në total Lumnija ka 35 mijë euro pasuri.

SHPËRNDAJE