Grupi i Sami Lushtakut ndërhyn në procesin zgjedhor të rinisë së PDK-së në Skenderaj (Foto)

Rinia e PDK-së dje e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor nga i cili janë zgjedhur Kryesia dhe Kryetari i RDK-së, në një proces me probleme dhe akuza për manipulime.

Në këtë proces zgjedhor, Veriu.info mëson se ka ndërhyrë grupi i Sami Lushtakut, i prirë nga Haxhi Bejta, së bashku me anëtarët e Kryesisë, Shemsi Maksutin, Hajriz Kocin, Mërgim Lushtakun dhe Mihane Kodrën.

Burime të Veriu.info nga RDK e Skenderajt bëjnë të ditur se këta persona që janë pjesë e grupit të Sami Lushtakut, kanë ndikuar që të preferuarit e tyre të zgjidhen në Këshill Drejtues, Kryesi dhe në zgjedhjen e Alban Berishës për kryetar të RDK-së.

Ky proces zgjedhor u zhvillua në restorant ‘Atlantic’, që është nën pronësi të anëtares të Kryesisë së PDK-së, Mihane  Kodra, ku pjesëmarrësit në këtë Kuvend u ndanë të zhgënjyer me formën se i grupi i Sami Lushtakut me çdo kusht dëshironte ta mbajë partinë për vete.

Veriu.info mëson se një pjesë e madhe e anëtarëve pjesëmarrës të Kuvendit Zgjedhor të RDK-së, të zhgënjyer për shkak të manipulimeve kanë paralajmëruar dorëheqje nga PDK në ditët vijuese.

Kryetar i RDK-së është zgjedhur Alban Berisha, zgjedhjen e të cilit e ka kontestuar paraprakisht Musli Gucati.

“Krahu i Haxhi Bejtës ka përgatitur vjedhje masive të votave në favor të kundër kandidatit tim, Alban Berishës për zgjedhjen e tij si kryetar i RDK-së në Skenderaj, proces i cili është paraparë të zhvillohet pas pak minutash. Kjo po bëhet për të më eliminuar mua. Shumica e anëtarëve janë larguar nga salla dha i kanë sharë me nanë klanin e manipuluesve”, kishte thënë mbrëmë pak para mesnate Musli Gucati në një prononcim për Veriu.info.

Shqetësimi i tij ka dalë, pasi që Alban Berisha është zgjedhur kryetar i RDK-së, në një proces ku Veriu.info mëson se ka pasur shumë ndërhyrje dhe presione nga persona të krahut të Sami Lushtakut, si rezultat i të cilit kryetar është zgjedhur Alban Berisha, miku i djalit të Haxhi Bejtës.

Ndërhyrjen e grupit të Sami Lushtakut në procesin zgjedhor të RDK-së në Skenderaj, e konfirmojnë edhe këto foto të siguruara nga portalit Veriu.info, ku shihet se mbrëmë persona të pa autorizuar dhe me ndikim kanë ndërhyrë në proces.

Në mesin e personave që ndikuan në procesin e votimit dhe numërimit për Këshill, Kryesi dhe Kryetar është edhe deputeti Mërgim Lushtaku, i cili edhe pse nuk ishte pjesë e rinisë, as e Komisionit Zgjedhor dhe as e Komisionit të Numërimit, ai ishte prezent pranë tavolinës së numërimit, duke ushtruar ndikim të anëtarët e RDK-së.

Në këto foto shihen Behxhet Maliqi (me bluzë të kuqe), Ruzhdi Koca (në këmbë), Mihane Kodra (ulur) dhe Shemsi Maksuti në tavolinë të numërimit të votave të RDK-së, edhe pse nuk janë pjesë e komisionit të numërimit të votave, duke bërë kështu trysni tek të rinjtë e PDK-së. Madje, Veriu.info mëson se këta katër persona nuk janë as pjesë e komisionit zgjedhor.

Edhe një person shumë i afërt më Sami Lushtakun është parë mbrëmë duke ndërhyrë në proces, ani pse nuk ishte pjesë e komisionit të votimit dhe nuk është as pjesë e komisionit zgjedhor. Fjala është për Hajriz Kocin, i cili është anëtar i Kryesisë së Degës, ish zëdhënës i komunës së Skenderajt dhe tash këshilltar i Ministrit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Këto ndërhyrje në proces zgjedhor bien në kundërshtim me komunikatën e lëshuar nga dega e PDK-së në Skenderaj më datë 15.03.2018, ku ndër të tjera thuhej: “Takimi është udhëhequr nga kryetari i degës Sami Lushtaku i cili ka kërkuar nga strukturat e degës, Rinia Demokratike dhe Gruaja Demokratike, angazhim të plotë në organizimin e procesit zgjedhor demokratik, duke iu dhënë mundësi të pjesëmarrjes në proces të gjithëve. Ai ka kërkuar më ngulm që partia të krijojë kushte të barabarta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur të gjithë anëtarëve të PDK-së, dhe qytetarëve të Skenderajt, në veçanti të rinjve dhe grave”.

Pra, ndëhyrja e deputetit Mërgim Lushtaku, këshilltarit të MIN, Hajriz Koci dhe personave tjerë të pa autorizuar, nuk krijuan kushte të barabarta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Kjo është Lista e anëtarëve të Kryesisë së zgjedhur mbrëmë, të cilën e ka siguruar portali Veriu.info:

 

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE