Hajgare me Kryeministrin: Të bëhesh Ministër duhet të kesh një aktakuzë

I sapo emëruari në një ministri të rëndësishme, atë të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka një aktakuzë. Por duket se për qytetarët “ky nuk është lajm” sepse janë ngopur me këso skandalesh. Mustafa vetëm se ka ngritur në një më shumë numrin e zyrtarëve të Qeverisë Haradinaj që janë të ngarkuar me aktakuza të ndryshme. Si: keqpërdorim i detyrës zyrtare, posedim i armëve dhe punësime të paligjshme.

Kryeministrit, Ramush Haradinaj, kur i bëhet presion me pyetje se a do të shkarkohen personat me aktakuzë që mbajnë pozita të larta në Qeveri ai thotë se ministrat nuk i cakton ai, por partitë me të cilat është në koalicion. Megjithatë, edhe nga partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëri nga ministrat ka aktakuzë të ngritur, Pal Lekaj.

Të premtën Gazeta Express raportoi se Ekrem Mustafa ndodhet në një proces gjyqësor. Ai është i ngarkuar me një aktakuzë për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”. Sipas aktakuzës në këtë aksident dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore, një person tjetër lëndime të lehta trupore si dhe janë shkaktuar dëme materiale.

Pas publikimit të këtij lajmi, askush nga udhëheqësit e vendit nuk reagoi. Disa qytetarë shkruan në Facebook se i njejti në një Qeveri normale do të duhej të shkarkohej, por duket se edhe qytetarët janë ngopur me këto skandale madje e shndërruan në shaka duke thënë se të bëhesh Ministër i kësaj Qeverie do të duhej të kesh një aktakuzë.

Në internet filloi të shpërndahej një fotografi me mbishkrimin: Urime çdo i treti Ministër i kësaj Qeverie ka një aktakuzë!

Qeveria Haradinaj me Ekrem Mustafën ka shtatë ministra me aktakuza në përbërje të saj.

Endrit Shala u emërua ministër i Tregtisë dhe Industrisë, i cili po ashtu ngarkohet me një aktakuzë.

Janë edhe 5 zyrtarë të tjerë të lartë qeveritar me aktakuza, nisur nga zv.kryeministri Dardan Gashi, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ministri i FSK-së Rrustem Berisha dhe ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ky i fundit është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por lënda është dërguar në Apel.

Pavarësisht kësaj në Kosovë ende nuk është iniciuar miratimi i një ligji, i cili do t’ua ndalonte personave me aktakuzë ushtrimin e funksioneve publike./Gazeta Express

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE