Haki Abazi: Albin Kurti kryeministër, do t’i ndalonte ndërhyrjet e të huajve në Kosovë

Anëtari më i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, gjatë intervistës në emisionin ‘Pressing’ të televizionit T7, ka deklaruar se nëse Albin Kurti bëhet kryeministër do t’i ndalonte ndërhyrjet e të huajve në Kosovë.

Ai gjithashtu tha se të huajt vijnë në Kosovë në emër të shtetit të tyre dhe mendojnë se duhet të ndikojnë në proces.

“Unë mendoj që ardhja e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës e bën një lloj distancimi të shëndoshë të përzierjes jo të shteteve të huaja, por interesave të individëve që vijnë në emër të shteteve të tyre e mendojnë se duhet të ndikojnë në proceset zhvillimore të Kosovës” tha Abazi.

Duke folur për emrin e kandidatit për kryeministër në rast të një koalicioni mes LDK’së dhe VV’së, tha se Albin Kurti duhet të jetë kryeministër, e që sipas tij kjo ndodh për shkak se LDK’ja e kishte pranuar Thaçin si president e Haradinajn si kryeministër, e tani për interes të shtetit Kurti duhet të jetë në krye të qeverisë.

“Nëse LDK e ka pranuar president Hashim Thaçin dhe ka pranuar që disa herë të hyjë në raporte me partitë e tjera, ose edhe me Ramush Haradinajn, unë mendoj që për interesin e shtetit dhe proceseve mundet të vijë në pozitën që e pranon Albin Kurtin si kryeministër” shtoi ai.

E sipas tij, në mënyrë që gara të jetë e pakushtëzuar, partitë duhet të fokusohen në mobilizim të kapaciteteve e jo në emrin e kryeministrit.

Ai këtë e argumentoi me faktin se Avdullah Hoti ka bërë një punë shumë të mirë sa ishte ministër i financave edhe pse nuk ishte kryeministër.

“Me dashamirësinë më të madhe e kisha thënë që LDK’ja e ka treguar aftësinë për ta parë një kryeministër. Te Qeveria Mustafa, Avdullah Hoti ka bërë punë të mirë si ministër i financave” tha ai.

Abazi gjatë ditës së djeshme u zyrtarizua si anëtari më i ri i Lëvizjes Vetëvendosje.

SHPËRNDAJE