Halimi flet pas ndarjes së VV-së: Mendimin ndryshe nuk e lejoi Molliqaj. Martesat lejohshin brenda ‘sektit’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj, kur dha dorëheqje nga funksionet në këtë parti kishte deklaruar se arsyeja kryesore e largimit është, se brenda VV-së nuk lejohen mendime ndryshe.

Mirëpo, aktivistët që u larguan më herët nga VV-ja dhe që folën të parët për problemet brenda VV-së, pohojnë se personi që nuk ka lejuar mendimin ndryshe në parti është pikërisht Dardan Molliqaj.

Ajnishahe Halimi e cila nga Lëvizja Vetëvendosje u largua në vitin 2013 bashkë me një grup aktivistësh, duke folur për Gazetën Blic, ka thënë se Molliqaj ishte pjesë e grupit që nuk lejonte askënd të dilte jashtë “vijës” së mendimit të tyre.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

“Nuk e di tash çka ndodh, por atëherë ka qenë më ndryshe, ka qenë një grup i njerëzve, brenda atij grupi të njerëzve, ka qenë edhe Dardan Molliqaj që nuk ka lejuar të ketë mendime ndryshe.”

Halimi ka thënë se Vetëvendosje nuk është as subjekt e as parti, por është sekt me rregulla strikte

“Unë nuk e di çka ka ndodh tash por ata nuk lejojnë mendime ndryshe, atë e kam thënë dhe them prapë se janë një sekt, ku duhet t,i përgjigjet secili që hyn. E, pse ndarja e madhe ka ndodh pikërisht tash unë nuk e di, por sigurisht Kurti e Molliqaj janë prish për shkak të pazareve të veta”, ka thënë Halimi.

Halimi ka folur edhe për akuzat për abuzime seksuale brenda kësaj partie, të cilat janë bërë publike në muajt e fundit.

Ka thënë se nuk mund të flas saktë për ngacmime seksuale por Vetëvendosje si sekt qysh i ka quajtur ajo, kanë rregulla strikte edhe në lidhje e martesa.

Sipas saj, ata duhet të lidhen vetëm mes vete dhe jo më dikë jashtë strukturave të VV-së.

“Nuk them qe ka pas ngacmime seksuale, por ata janë një sekt dhe sekti e do llojin veç të vetin edhe të martesës, e kjo ka qenë e dukshme edhe atëherë pra ka qenë se duhet me u martu brenda llojit të njëjte, tash nuk e di qysh është”, është shprehur Halimi

Halimi bashkë me një grup aktivistësh ishin larguar nga Lëvizja Vetëvendosje qysh moti, duke kritikuar këtë parti pikërisht me të njëjtat akuza të cilat sot po e akuzon Dardan Molliqaj dhe të tërhequrit e tjerë.

Ndërsa që pikërisht në atë kohë, në mbrojtje të Vetëvendosjes kishte dalë Dardan Molliqaj.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme dorëheqje ka dhënë edhe Shpend Ahmeti, dorëheqje kjo që nxiti reagime të shumta.

Gazeta Blic ka raportuar se deputetët e dorëhequr, që janë hiq më pak se 13, janë në përgatitje të formimit të një grupi të ri parlamentar. Pritet që shumë shpejt të procedojnë edhe me kërkesë zyrtare.

SHPËRNDAJE