Haradinaj godet LDK’në: Marre ju qoftë

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se LDK duhet të ketë turp për deklarimet që po lëshon në drejtim të tij, për shkak të bashkëpunimit me PDK’në.

Në një tubim në Pejë, Haradinaj ka thënë se s’ka si të përparojë vendi me qeverisjen e kryeministrit në detyrë Isa Mustafa, pasi ajo është qeveri e ngadaltë.

”LDK dihet kush janë, ata më kanë dashur mua dhe Nismën, tash pse unë po punoj me Thaçin e Veselin, që ata i kanë bërë shefa të shtetit, po thonë koalicioni i territ e i natës, marre ju qoftë”, është shprehur Haradinaj.

”Tash shkojnë e iu thonë miqve tanë, Ramushi i mirë, por ka bërë koalicion me të këqijtë. Ku është e djathta juaj LDK, me Qeveri slowmotion’’, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për raportet e Kosovës me botën. ”Gjithë qeveritë e botës, duhet ta dinë që kur punojnë me Prishtinën, Kosova vendos”, ka thënë ai.

”Në Kosovë kurrë Serbia s’ka për të vendosur. S’mund të na mësojë askush se kush është Serbia. Nëse mendon dikush se mundet të vijë e të na tregojë se kush është Serbia, gaboheni rëndë. Ne e njohim, e dimë kush është Serbia, e kemi fqinje moti”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE