Haradinaj i çon selam Kadri Veselit: Vetëm kështu mund të hiqet taksa ndaj mallrave serbe

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, po merr pjesë në bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës rreth dialogut Kosovë – Serbi.

Haradinaj ka folur për taksën ndaj produkteve serbe, përfaqësuesen e BE-së Federica Mogherini që ishte e involvuar direkt në tryezën e bisedimeve mes dy shteteve dhe përfshirjen e kancelares Angela Merkel, presidentit francez Emanuel Macron dhe kyçjen e Washingtonit zyrtar.

Haradinaj ka thënë se largimi i Mogherinit nga tryeza e bisedimeve ka qenë lajm i mirë, pasi nën udhëheqjen e saj ka qenë e pranishme ideja për korrigjimin e kufijve apo ndarjen e Kosovës.

“Kthimi i dialogut në tavolinën e kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe kyçja e Washingtonit me të dërguarin e tyre Matthew Palmeri është vendim shumë i mirë, pasi është hequr nga diskutimi ndarja e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur tutje për taksën duke thënë se duhet t’u tregojmë edhe evropianëve, por edhe amerikanëve që taksa hiqet vetëm me njohje.

“Ne duhet me ua shpjegu të dy palëve që jemi për marrëveshje për njohje reciproke, pra opsioni i tyre për suspendimin e taksës para fillimi të dialogut e dobëson Kosovën. Taksa hiqet vetëm me njohje”, ka përsëritur Haradinaj.

Haradinaj është shprehur se nuk është e vërtetë që Amerika ka kërkuar kompromis të dhimbshëm për Kosovën.

“Nuk është e vërtetë që Amerika na ka kërku kompromise të dhimbshme, ose të mos e bëjmë ushtrinë apo heqjen e taksës, liderët vendor dhe të rajonit kanë shkuar në Amerikë dhe ua kanë prezantuar idetë e tyre të rrezikshme”, ka thënë Haradinaj gjatë bashkëbisedimit.

Ai po ashtu ka deklaruar se me Serbinë do të ketë dialog vetëm nëse ka njohje reciproke në kufijtë aktualë.

“Dialogu në tërësi nuk është vetëm për dialog, ne nuk jemi duke luftuar me Serbinë por mund të bëjmë dialog nëse ka njohje reciproke në kufijtë aktualë. Fillimin e dialogut me heqjen e taksës nuk do ta përkrahi”, ka thënë ai.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE