Haradinaj i kërkon shkëputjen e kontratës me Z-Mobile, Kryeshefi i Telekomit në prag të dorëheqjes?

Gent Begolli ishte zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës në qershor të këtij viti, duke e marrë nën drejtim këtë ndërmarrje publike me mjaftë probleme financiare, të cilat janë shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe kontraktimi me favorizim i kompanive të afërta me parti të caktuara politike.

Pas ardhjes së tij në krye të Telekomit, nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i madh në menaxhim, përveçse është riaktualizuar mundësia e falimentimit të kësaj kompanie, për shkak se Z-Mobile tash po i kërkon prapë 30 milionë eurot e fituara përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me ç’rast tash Z-Mobile e ka shtruar kërkesën për inkasim të borxhit edhe në departamentin e Çështjeve Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Burime të gazetës online Veriu.info bëjnë të ditur se kryeministri Ramush Haradinaj është duke i bërë presion të madh Kryeshefit Begolli, të cilin e kishte edhe në parti deri në momentin e emërimit në krye të Telekomit, që ta ndërpres kontratën e Telekomit me Z-Mobile.

“Kryeministri po kërkon nga Kryeshefi që të shkëputet urgjentisht kontrata mes Telekomit dhe Z-Mobile, por që kjo kërkesë e tij nuk po mund të realizohet akoma. Kjo po pengohet nga persona të caktuar brenda Telekomit, të cilët në realitet punojnë për Devollët, duke shtyrë interesat e tyre në Telekom”, ka thënë burimi i Veriu.info.

Mësohet se Kryeshefi Begolli pas riaktualizimit të problemeve të Telekomit në media dhe kërkesës së Haradinajt për shkëputje të kontratës me Z-Mobile, ai nuk ka qenë në punë shumicën e kohës gjatë kësaj jave, me përjashtim të premten pasdite.

“Kryeshefi Begolli është duke e shqyrtuar mundësinë e dorëheqjes nëse nuk arrin ta shkëpus kontratën mes Telekomit dhe Z-Mobile, pasi që po shihet se presioni ndaj tij nga kryeministri Haradinaj për shfuqizimin e kësaj kontrate të dëmshme është rritur shumë javët e fundit”, tregon burimi i Veriu.info.

Ndryshe, Gent Begolli vjen nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK. Ai ishte drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës në mandatin e kaluar të Shpend Ahmetit.

SHPËRNDAJE