Haradinaj: Jemi n’zor nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sërish ka folur për vendimin e Qeverisë që të aplikojë taksën prej 10 për qind për produktet serbe dhe boshnjake, si kundërpërgjigje për veprimet e vazhdueshme të Serbisë kundër Kosovës, raporton Periskopi.

Haradinaj tha se krejt këto veprime janë kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të Serbisë ndaj pjesëtarëve të FSK’së dhe familjarëve të tyre.

Sipas tij, vendimi për taksë nuk është marrë për arrogancë, por ka qenë domosdoshmëri.

“Vendimi për taksa nuk e kemi marrë për arrogancë, por jemi në zor sepse vendi i Serbisë publikisht vazhdon luftën kundër Kosovës përmes kërcënimit të ushtarëve të FSK’së. Falënderoj vendet mike të Kosovës që reaguan kundër këtyre kërcënimeve. Serbëve po ua kërcënojnë familjet, vetëm pse janë në FSK. Ky nuk ka qenë veprim i dëshirës, por masë ndaj Serbisë, e cila ka mundësi me u rrit e me kalu në taktizim, dhe jo si çështje e përkohshme,. Nëse nuk ndërron qasja, nuk e ndërrojmë as qëndrimin”, ka thënë Haradinaj./PERISKOPI

SHPËRNDAJE